Prishtinë, 25 nëntor 2026 06:11
Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka rezervuar të drejtën për ta apeluar aktgjykimin dënues prej 17 muajsh burgim, të shqiptuar nga Gjykata Speciale në Hagë në rastin për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë.
Avokatja e Thaçit, Sophie Menegon, në një parashtresë të dorëzuar në këtë rast, ka bërë të ditur se mbrojtja mund ta kundërshtojë vendimin, veçanërisht pjesën që përcakton se ky dënim nuk do të vuhet njëkohësisht me dënimin tjetër për krime lufte dhe se koha e kaluar në paraburgim nuk do t’i llogaritet në këtë rast.
Mbrojtja e ka bërë këtë njoftim pasi Prokuroria e Specializuar ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit të Thaçit, pas shpalljes së aktgjykimit dënues.
Në parashtresë, Menegon ka theksuar se mbrojtja rezervon të drejtën për të paraqitur ankesë para Panelit të Dhomës së Apelit, në përputhje me nenin 46 të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Kundërshtimi mund të përfshijë edhe mënyrën e vuajtjes së dënimeve dhe llogaritjen e kohës së kaluar në paraburgim.
Thaçi u dënua me një vit e pesë muaj burgim, pasi u shpall fajtor për vepra penale që lidhen me administrimin e drejtësisë. Sipas aktgjykimit, ai kishte dhënë udhëzime lidhur me mënyrën se si duhej të dëshmonin dëshmitarët në procesin gjyqësor për krime lufte.
Në të njëjtin rast u dënuan edhe Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, ndërsa Isni Kilaj u lirua nga akuzat.
Ndërkohë, në procesin për krime lufte, Thaçi është dënuar me 25 vjet burgim, një vendim që po ashtu është në procedurë të Apelit. Me nga 25 vjet burgim janë dënuar edhe Jakup Krasniqi, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.
Nëse të dyja vendimet ndaj Thaçit mbeten në fuqi dhe dënimet nuk unifikohen, ai do të përballet me gjithsej 26 vjet e pesë muaj burgim.

Sveçla: Asnjë përgjegjësi për vrasjen e Arlindës të mos mbetet pa u hetuar
Mbështetja për Luginën e Preshevës, 4 milionë euro të parapara për vitin e ardhshëm
Radoiçiq dhe Veselinoviq dyshohet se janë arratisur së bashku në Kirgistan
Kosova shënon rekord, investimet e huaja kalojnë 1 miliard euro
Apeli ua konfirmon burgimin e përjetshëm Naim Murselit dhe Granit Plavës
Eksportet rriten për 35.3% krahasuar me vitin e kaluar
Mbrojtja e Thaçit rezervon të drejtën për apelimin e dënimit prej 17 muajsh
Rasti i Arlinda Zekajt, arrestohen edhe katër persona tjerë të dyshuar