Prishtinë, 10 shkurt 2026 19:36
Kryediplomati amerikan, Marco Rubio, do të udhëtojë për në Gjermani më vonë gjatë javës dhe do të udhëheqë një delegacion të nivelit të lartë në Konferencën për Siguri të Munihut, para se të niset drejt Sllovakisë dhe Hungarisë.
Konferenca e 62-të e Munihut do të mbahet nga 13 deri më 15 shkurt, ku do të marrin pjesë qindra udhëheqës botërorë, përfshirë edhe nga Kosova. Në Munih do të jetë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Petrit Ajeti.
Edhe Serbia do të ketë përfaqësues në Konferencë, përfshirë presidentin Aleksandar Vuçiq, kryediplomatin Marko Gjuriq, dhe disa ministra të tjerë. Ndërkaq, edhe vendet e tjera të rajonit do të përfaqësohen në Munih me zyrtarë të lartë, përfshirë kryeministra.
Pjesëmarrja e Rubios në këtë konferencë ndodh në një moment të rëndësishëm, kur Uashingtoni dhe aleatët evropianë po përballen me mosbesim në rritje lidhur me sigurinë, tregtinë dhe të ardhmen e aleancës transatlantike dhe këto tensione pritet të mbizotërojnë diskutimet në Munih.
Lufta e Rusisë në Ukrainë, që në fund të shkurtit hyn në vitin e pestë, pritet të jetë temë kryesore e diskutimeve në Konferencë, por edhe tensionet që kanë të bëjnë me Iranin.
Pjesëmarrja e Rubios në Konferencën në Gjermani do të pasohet me një turne diplomatik në Bratisllavë dhe Budapest më 15 dhe 16 shkurt, duke vënë në pah fokusin e administratës amerikane në Evropën Qendrore në një kohë të një pasigurie strategjike.
Në Sllovaki, ai pritet të takohet me zyrtarë të lartë për të avancuar bashkëpunimin e sigurisë rajonale dhe për projektet e energjisë bërthamore, tha Departamenti amerikan i Shtetit. Në Hungari, ndërkaq, fokusi do të jetë në raportet dypalëshe dhe në përpjekjet e paqes që synojnë zgjidhjen e konflikteve botërore.
Pika kryesore e udhëtimit të Rubios do të jetë fjalimi në Munih më 14 shkurt, i cili pritet të shikohet me vëmendje, veçmas pasi fjalimi i nënpresidentit amerikan, JD Vance, vitin e kaluar në këtë konferencë pati jehonë të madhe.
Atëbotë, deklaratat e Vance – kur ai akuzoi liderët evropianë për shtypje të lirisë së shprehjes dhe dështim në menaxhimin e migracionit – lanë pas një ndjenjë shqetësimi në Bruksel dhe më gjerë.
Kjo ndjesi pasigurie pasqyrohet edhe në raportin vjetor të Konferencës së Sigurisë së Munihut, të hartuar nga organizatorët e forumit dhe të publikuar këtë javë, i cili paralajmëron se Evropa po përballet me një “epokë të prolonguar konfrontimi” të nxitur nga agresioni rus.
Tensionet transatlantike
Sipas raportit, sfida më e madhe për rendin liberal ndërkombëtar mund të vijë tashmë “nga brenda”, duke iu referuar asaj që e përshkruan si një ndryshim tektonik në mënyrën se si SHBA-ja po mendon për aleancat.
Duke e quajtur presidentin amerikan, Donald Trump, “më të fuqishmin ndër ata që i bien me sëpatë rregullave dhe institucioneve ekzistuese”, autorët e raportit parashikojnë se “marrëveshjet transaksionale mund ta zëvendësojnë bashkëpunimin e ndërtuar mbi parime… dhe rajonet mund të dominohen nga fuqitë e mëdha, në vend që të qeverisen nga rregulla dhe norma ndërkombëtare”.
Ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, e ka kundërshtuar fuqishëm vlerësimin për një “kërcënim të brendshëm”, duke argumentuar se Uashingtoni synon të ribalancojë, e jo të shkatërrojë, rendin e pasluftës.
Duke folur për gazetarët më 9 shkurt, Whitaker kundërshtoi idenë se SHBA-ja po largohet nga aleancat e qëndrueshme.
“Ne po përpiqemi ta bëjmë NATO-n më të fortë”, deklaroi ai, duke argumentuar se presioni ndaj aleatëve evropianë për të shpenzuar më shumë për mbrojtjen lidhet me rritjen e kapaciteteve, jo me braktisjen e aleancës.
Sa i përket tregtisë, ai e paraqiti qëndrimin e SHBA-së si një përgjigje ndaj asaj që e quajti pabarazi të padrejta.
Sa i përket Grenlandës, për të cilën Trump ka thënë se dëshiron që SHBA-ja ta marrë nën kontroll, Whitaker tha se ky synim ka të bëjë me shqetësime të sigurisë që lidhen me Rusinë dhe Kinën.

Lista Studentore distancohet nga Lista Serbe, reagon Von Cramon
As serbët nga veriu i Kosovës nuk i dhanë mbështetje të plotë Aleksandar Vuçiçit
Mustafi: Shqiptarët e Luginës arritën mbi 27 mijë vota, rekord që nga viti 2000
Kuvendi mblidhet sot, në rend dite buxheti i vitit 2026 dhe Byroja për konfiskimin e pasurisë
Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore, por kërkon zgjidhje konkrete për shqiptarët
Memeti: Dy deputetë, mundësi më e madhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginë
Dëshmitari në gjykatë: Pantiqi dhe Zariqi ishin të përfshirë në krimet në Istog
Koeficienti i pagave pritet të rritet në 120 euro nga korriku i vitit 2027, paralajmëron Kurti
Spajiç kërkon hetim parlamentar për ndikimin e mundshëm të Serbisë në mediat dhe bizneset e Malit të Zi
Pantiqi merret në pyetje nga Prokuroria për rastin e Ukshin Hotit