14 gusht, 2025
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) në Luginën e Preshevës, Nevzad Lutfiu, ka bërë të ditur se gjatë periudhës janar–korrik 2025, autoritetet serbe kanë pasivizuar 200 adresa të shqiptarëve në jug të Serbisë.
Sipas tij, këto të dhëna janë marrë nga stacionet policore në Bujanoc dhe Preshevë. “Përgjigjen me shkrim e mora dje: në Komunën e Preshevës janë pasivizuar 174 adresa, ndërsa në Komunën e Bujanocit 26 adresa”, ka shkruar Lutfiu në Facebook, duke shtuar se ka dyshime për saktësinë e të dhënave të Bujanocit dhe është në pritje të konfirmimit zyrtar.
Ai e ka cilësuar këtë proces si “racizëm dhe spastrim të pastër etnik”. Pasivizimi i adresave, i cili nënkupton fshirjen e qytetarëve nga vendbanimi ku janë të regjistruar, sjell humbjen e shtetësisë serbe dhe të gjitha të drejtave civile, përfshirë të drejtën e votës, pronësisë, sigurimit shëndetësor, pensionit dhe punësimit.
Kjo praktikë është kritikuar edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në Serbi për vitin 2023, ku theksohet se ajo zbatohet në mënyrë joproporcionale ndaj shqiptarëve, veçanërisht në Medvegjë. Edhe Bashkimi Evropian, në nëntor të vitit të kaluar, i kërkoi Beogradit zyrtar shpjegime për këto masa.
Reagimi i Lutfiut vjen një ditë pas takimit të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, me përfaqësues politikë shqiptarë nga Serbia, përfshirë deputetin Shaip Kamberi, kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani, dhe kryetarin aktual të KKSH-së, Enkel Rexhepi. Në këtë takim u diskutua për “politikat diskriminuese dhe shtypëse të Serbisë” ndaj shqiptarëve të Luginës.
Muajin e kaluar, Kamberi dorëzoi në Kuvendin e Serbisë një draft-rezolutë për situatën e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke kërkuar njohjen e qasjes diskriminuese dhe përkushtimin institucional për përmirësimin e pozitës së tyre. Dokumenti kërkon gjithashtu pezullimin e menjëhershëm të masave për pasivizimin e adresave dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në vitet 2001, 2009 dhe 2013.

Thaçi mohon çfarëdo përfshirje në vrasje
Shënohet viktima e parë nga Virusi i Nilit Perëndimor në Kosovë
“Prishtina 2026” promovon produktet vendore dhe hap mundësi të reja për bizneset
Studentët revoltohen me Specialen, marshojnë në protestë, mbështesin katërshen e UÇK-së
Gjykimi për krime lufte nuk nis për shkak të mungesës së avokatit
Ramadan Morina sërish deklarohet i pafajshëm lidhur me akuzën për pjesëmarrje në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë në Burim të Malishevës
Kuvendi i Shqipërisë me deklaratë mbi aktgjykimin e Hagës
Takohen Kurti e Hamza