Prishtinë, 3 nëntor 2026 14:17
Një operacion ndërkombëtar kundër dyshimeve për mashtrime përmes platformave të rreme të investimeve është zhvilluar edhe në Kosovë, ku janë bastisur pesë lokacione në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Ferizaj dhe janë arrestuar tre persona.
Operacioni është zhvilluar me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa në të kanë marrë pjesë hetues të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Kibernetike të Policisë së Kosovës.
Të arrestuarit, me inicialet M.P., I.H. dhe F.Z., dyshohen për veprat penale të pjesëmarrjes ose organizimit të grupit kriminal të organizuar, mashtrimit, hyrjes së paautorizuar kompjuterike dhe mashtrimit kompjuterik.
Sipas dyshimeve të hetuesve, personat e përfshirë paraqiteshin si agjentë ose ndërmjetës financiarë dhe kontaktonin qytetarë, kryesisht gjermanishtfolës, të cilët i bindnin të investonin para në instrumente financiare dhe kriptovaluta.
Dyshohet se fitimet e shfaqura në platformat e përdorura ishin fiktive, ndërsa paratë e transferuara nga viktimat nuk investoheshin në përputhje me premtimet e bëra.
Gjatë bastisjeve në Kosovë janë sekuestruar përkohësisht vetura, telefona celularë, kompjuterë dhe pajisje të tjera elektronike, të cilat mund të shërbejnë si prova në procedurën penale.
Me urdhër të Prokurorisë Speciale, tre të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.
Operacioni në Kosovë është pjesë e një aksioni më të gjerë ndërkombëtar, në kuadër të të cilit janë zhvilluar kontrolle edhe në Shqipëri, Qipro, Izrael, Finlandë dhe Maqedoninë e Veriut.
Autoritetet kosovare kanë bashkëpunuar me autoritetet gjermane dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë. Gjatë zbatimit të urdhër-kontrolleve në Kosovë kanë qenë të pranishëm një prokuror i Prokurorisë Speciale, përfaqësues të Prokurorisë dhe hetues nga Gjermania, si dhe ekspertë të kibernetikës nga Europol.
Bashkëpunimi ndërkombëtar është lehtësuar edhe nga Eurojust.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë me qëllim të zbardhjes së plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale, identifikimit të personave të tjerë të përfshirë dhe gjurmimit të pasurisë që mund të ketë prejardhje nga veprat penale.

Lansohet Platforma e Identitetit Elektronik, Kurti: Hap i rëndësishëm drejt digjitalizimit
908 milionë euro të parapara për komunat në projektbuxhetin e vitit 2027
Dëshmitari në gjykatë: Pantiqi dhe Zariqi ishin të përfshirë në krimet në Istog
Koeficienti i pagave pritet të rritet në 120 euro nga korriku i vitit 2027, paralajmëron Kurti
Pantiqi merret në pyetje nga Prokuroria për rastin e Ukshin Hotit
Dogana e Kosovës arkëton 186.6 milionë euro të hyra gjatë tetorit
Kosova mëson kundërshtarët në Ligën e Kombeve, e presin tri përballje interesante
Aksion ndërkombëtar kundër mashtrimeve me investime, bastisen pesë lokacione në Kosovë – arrestohen tre persona
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës zhvillojnë aksion në disa lokacione