Beograd, 09 Gusht 2025
Serbia: Popoviqi e pranoi fajin në Kosovë “nën presion”
Ministria e Drejtësisë e Serbisë deklaroi të shtunën se zyrtari i Qeverisë serbe, Igor Popoviq, ka nënshkruar “nën presion dhe jo me vullnet të lirë” marrëveshjen me Prokurorinë e Kosovës për pranimin e fajësisë për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit.
Sipas saj, përdorimi i kësaj marrëveshjeje “shërben vetëm për stigmatizimin e popullit serb dhe forcimin e kontrollit politik, jo për sundimin e ligjit”. Ministria nuk ofroi prova për këto pretendime.
Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi të premten Popoviqin me gjashtë muaj burg për nxitje të përçarjes, dënim i zëvendësuar me një gjobë prej 3.000 eurosh dhe ndalim hyrjeje në Kosovë për dy vjet.
Popoviq, ndihmësdrejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, kishte pranuar fajin për deklarata të mbajtura më 18 korrik në Hoçë të Madhe të Rahovecit, ku ndër të tjera e cilësoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës “organizatë terroriste”. Para gjykatës, ai e konfirmoi disa herë se marrëveshjen e kishte nënshkruar pa asnjë presion.
Ministria serbe e quajti procesin “shkelje të së drejtës ndërkombëtare” dhe paralajmëroi përdorimin e “të gjitha mjeteve ligjore e politike” për të mbrojtur Popoviqin. Sipas saj, marrëveshja “nuk prodhon efekt juridik në Serbi” dhe “është e pavlefshme” pasi, siç pretendon, është lidhur në kushte shkeljeje të të drejtave të garantuara nga Rezoluta 1244 dhe Karta e OKB-së.
Ajo u bëri thirrje misioneve ndërkombëtare dhe BE-së që të reagojnë urgjentisht.
Popoviq u arrestua më 18 korrik në pikëkalimin e Bërnjakut, pas fjalimit në Hoçë të Madhe. Pas 48 orësh në polici, iu caktua paraburgim prej një muaji, vendim që u la në fuqi edhe nga shkalla e dytë më 31 korrik. Prokuroria e akuzoi se me dashje ka nxitur urrejtje ndërmjet grupeve etnike.
Rasti ka qenë temë edhe në takimet e zyrtarëve serbë me ambasadorët e Rusisë dhe Kinës, si dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres. Pas vendimit për paraburgim, presidenti serb Aleksandar Vuçiq paralajmëroi “pasoja të paparashikueshme”, deklaratë që kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e quajti kërcënim.
Zyrtarët kosovarë kanë theksuar se nuk do të tolerojnë fyerje ndaj historisë dhe luftës së UÇK-së, e cila ka luftuar për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb në vitet 1990–1999. Gjatë luftës 1998/99 u vranë mbi 13.000 civilë dhe rreth 1.600 persona, kryesisht shqiptarë, mbeten ende të zhdukur.

Izraeli dhe Turqia përplasen gjithnjë e më shumë, Siria kthehet në pikën më të nxehtë
Trump kërkon sqarime nga dy këshilltarët e tij, dyshohet se punuan për autoritetet e Republikës Serbe
Kallas: Rusia po rrezikon jetët në Evropë me sulmet hibride
Alarm për sulme nga ajri edhe në Moldavi e Lituani
Protesta masive në Francë: Nxënësit bllokojnë shkollat, policia arreston dhjetëra protestues
BE-ja planifikon mekanizëm të ri për reagim ndaj kërcënimeve hibride
Industria e mbrojtjes në Kosovë: Parashihet prodhimi i municioneve, dronëve e blindave
Organizatori i sulmit terrorist në Banjskë, Radoiçiq, pranë djalit të Vuçiqit në tubimin parazgjedhor të SNS-së në Kragujevc
Gjykimi për spiunazh, Prokuroria: Shabani tentoi ta lidhte spitalin e UÇK-së në Mollopolc me “Shtëpinë e Verdhë”
Alarm për diasporën shqiptare: Vuçiq po përgatit pengesa për votuesit