Prishtinë, 23 nëntor 2026 06:58
Demokratët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shënuar një fitore historike në zgjedhjet e mesmandatit, duke siguruar shumicën më të madhe në Dhomën e Përfaqësuesve që nga viti 1992. Rezultati paraqet një goditje të rëndë politike për republikanët dhe administratën e presidentit Donald Trump.
Sipas rezultateve të fundit, demokratët kanë siguruar të paktën 258 nga 435 ulëset në Dhomën e Përfaqësuesve, duke pasur 44 mandate më shumë se republikanët. Kjo është fitorja më e madhe e kësaj partie në këtë institucion në më shumë se tri dekada, kur një rezultat i ngjashëm ishte arritur gjatë presidencës së Bill Clintonit.
Fitorja e fundit u konfirmua në Karolinën e Veriut, ku kandidati demokrat Chuck Hubbard mposhti kongresmenen republikane Virginia Foxx. Ndërkohë, katër gara zgjedhore ende nuk janë përmbyllur, ndërsa dy prej tyre në Luiziana pritet të vendosen në raundet e balotazhit gjatë muajit dhjetor.
Në anën tjetër, republikanët pritet të mbeten me jo më shumë se 177 vende në Dhomën e Përfaqësuesve, një prej rezultateve më të dobëta të partisë në këtë institucion gjatë dekadave të fundit.
Demokratët kanë siguruar gjithashtu shumicën në Senat, ku kanë fituar 56 nga 100 ulëset. Kështu, nga janari pritet të marrin kontrollin e të dy dhomave të Kongresit amerikan, duke fituar një pozicion të rëndësishëm në raport me administratën Trump.
Rezultati zgjedhor lidhet me pakënaqësinë e votuesve për rritjen e kostos së jetesës, luftën në Iran dhe akuzat për korrupsion që kanë shoqëruar administratën aktuale.
Me kontrollin e Kongresit, demokratët synojnë të zbatojnë një program për 100 ditët e para, me fokus në ekonominë familjare, shëndetësinë dhe përgjegjshmërinë institucionale.
Po ashtu, ata pritet të shfrytëzojnë kompetencat mbikëqyrëse të Kongresit për të nisur hetime ndaj administratës Trump, përfshirë interesat financiare të presidentit dhe familjarëve të tij.
Marrja e kontrollit të të dy dhomave pritet t’ia kufizojë ndjeshëm hapësirën politike presidentit Donald Trump gjatë dy viteve të fundit të mandatit të tij.

Rusia rrit tensionet me NATO-n, Aleanca mblidhet pas incidentit në Poloni
Ukraina dyshohet për sulmin me dron ndaj anijes ruse në Gjirin e Finlandës
Tetë të vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë, Moska shkel edhe hapësirën ajrore të Polonisë
Bordi i Paqes paralajmëron për dështimin e armëpushimit në Gaza, kritikon Izraelin dhe Hamasin
Tri fuqitë më të mëdha bërthamore në një tryezë
Trump kërcënon Iranin: Do të paguajë çmim të paparë nëse sulmon Washingtonin
Serwer: Beogradi e di se pa njohjen e Kosovës nuk ka anëtarësim në BE
Ballkani mposht Gjilanin me përmbysje