Jerusalem, 08 Gusht 2025
Kabineti i sigurisë i Izraelit ka miratuar planin e kryeministrit, Benjamin Netanyahu për të marrë kontrollin ushtarak mbi qytetin e Gazës, një hap që shënon një përshkallëzim të ri dhe të madh në luftë.
Vendimi u mor pas një takimi që zgjati gjatë gjithë natës, dhe me të konfirmohet se për t’i dhënë fund konfliktit është e nevojshme “marrja e plotë e kontrollit të sigurisë mbi Rripin e Gazës”, raporton Sky News.
Para këtij takimi, Netanyahu në një intervistë për Fox News konfirmoi synimet e Izraelit.
I pyetur nëse Izraeli do të “marrë kontrollin mbi të gjithë Gazën”, ai u përgjigj “që ta sigurojmë sigurinë tonë, synojmë të eliminojmë Hamasin atje dhe të çlirojmë popullsinë e Gazës”.
Ai shtoi se Izraeli nuk dëshiron të mbajë territorin, por të krijojë një “brez sigurie” dhe t’ia dorëzojë qeverisjen “forcave arabe që do të qeverisin siç duhet”.
Pas takimit, zyra e kryeministrit izraelit njoftoi se Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) do të përgatiten për të marrë kontrollin e qytetit të Gazës, ndërsa njëkohësisht do të shpërndajnë ndihmë humanitare për civilët jashtë zonave të luftimeve.
Kabineti i sigurisë miratoi gjithashtu pesë parime për përfundimin e luftës: çarmatosjen e Hamasit, kthimin e të gjithë pengjeve, demilitarizimin e Gazës, kontrollin e sigurisë nga Izraeli mbi Rripin e Gazës, si dhe krijimin e një administrate civile alternative që nuk do të jetë as Hamasi dhe as Autoriteti Palestinez.
Sipas raportimeve të mediave izraelite, shefi i shtabit të ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, ishte kundër pushtimit të Gazës, duke deklaruar se kjo do të rrezikonte pengjet dhe do ta rëndonte edhe më shumë ushtrinë.
Ndryshe, konflikti i fundit nisi me sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023, në të cilin u vranë rreth 1200 njerëz dhe u rrëmbyen 251 të tjerë. Mendohet se Hamasi ende mban rreth 50 pengje.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila kontrollohet nga Hamasi, në ofensivën hakmarrëse të Izraelit janë vrarë mbi 61 mijë palestinezë.

SHBA-të nisin sulme të reja ndërsa Irani mbyll Ngushticën e Hormuzit
Rriten çmimet e naftës pas sulmeve të reja të SHBA’së ndaj Iranit dhe rivendosjes së sanksioneve
Amerika sulmon Iranin
Të paktën 11 të vrarë nga sulmet ruse në Kiev, dhjetëra të plagosur
Tërmetet në Venezuelë morën pothuajse 3,000 jetë, operacionet humanitare vazhdojnë
SHBA-ja sot feston 250-vjetorin e Pavarësisë
PE i kërkon Serbisë normalizim të mardhënieve me Kosovën
Nga Praga, Orkestra `Amadeus` i sjell Kosovës medaljen e artë
Fetoshi: Reagimet ndaj vizitës së Begajt në Luginë janë përpjekje për të relativizuar projektin e “Botës Serbe”
Ish-krerëve të UÇK-së u vazhdohet paraburgimi, përkundër caktimit të datës së aktgjykimit