Prishtinë, 19 nëntor 2026 07:07
Bordi i Paqes, i krijuar nga presidenti amerikan Donald Trump për të mbikëqyrur planin për përfundimin e luftës në Gaza, ka kritikuar Izraelin dhe Hamasin, duke i akuzuar se nuk po i përmbushin zotimet për t’i dhënë fund armiqësive.
Në një raport prej 12 faqesh, të cilin e ka parë agjencia Reuters, Bordi paralajmëron se armëpushimi i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës rrezikon të shembet, ndërsa popullsia palestineze vazhdon të përballet me kushte të rënda humanitare.
Sipas raportit, ndonëse armëpushimi ka ndalur luftimet në shkallë të gjerë, plani për përfundimin e konfliktit ka mbetur kryesisht i bllokuar. Ai parasheh çarmatimin e Hamasit, tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza dhe fillimin e rindërtimit të territorit palestinez.
Hamasi kishte pranuar në korrik udhërrëfyesin e propozuar nga Bordi i Paqes, i cili parashihte dorëzimin e armëve dhe kalimin e qeverisjes së Gazës te një autoritet civil kalimtar. Megjithatë, Izraeli e ka refuzuar këtë plan, duke këmbëngulur se nuk do të tërhiqet pa çarmatosjen e plotë të Hamasit.
Raporti thekson se sulmet izraelite në Gaza kanë vazhduar pothuajse çdo ditë, ndërsa edhe luftëtarët e Hamasit kanë kryer sulme ndaj trupave izraelite.
“Dallimi mes asaj që është rënë dakord dhe asaj që po ndodh në terren mbetet rreziku kryesor për këtë proces”, thuhet në raport, duke paralajmëruar se një armëpushim që nuk sjell rezultate konkrete nuk mund të mbahet pafundësisht.
Bordi ka kritikuar gjithashtu qeverinë izraelite për mungesën e vendimmarrjes lidhur me krijimin dhe vendosjen e një force policore palestineze, e cila do të merrte përgjegjësinë për rendin dhe sigurinë në Gaza.
Ndërkohë, më shumë se dy milionë palestinezë vazhdojnë të jetojnë në kushte të rënda, kryesisht në tenda të improvizuara dhe ndërtesa të dëmtuara. Reshjet e dendura të shiut kanë përmbytur edhe kampet e të zhvendosurve, ndërsa kufizimet për furnizime dhe mungesa e fondeve po vështirësojnë përballimin e situatës humanitare.
Raporti është i dyti që Bordi i Paqes i paraqet Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, ndërsa gjetjet pritet të diskutohen në një takim të Këshillit në New York, në fund të nëntorit.

Tri fuqitë më të mëdha bërthamore në një tryezë
Trump kërcënon Iranin: Do të paguajë çmim të paparë nëse sulmon Washingtonin
Takim historik në Kinë: Xi, Trump dhe Putin në një tryezë për paqen botërore
Zelensky: SHBA-ja ngriti mundësinë e tërheqjes së Ukrainës nga Donbasi në këmbim të anëtarësimit në NATO
Pezullohen fluturimet në ShBA
Bisedimet në Abu Dhabi sjellin marrëveshje për lirimin e robërve, por jo për paqe
Instituti Albanologjik shpall muze zyrën ku punoi Rexhep Qosja
Rashiq: Lista Serbe është elementi më destruktiv në historinë e serbëve
Aksident në komunikacion, vdes një person
Miratohet në parim Projektbuxheti për vitin 2027