Prishtinë, 9 teror 2026 16:02
Prokuroria Speciale ka deklaruar se provat që do të administrohen gjatë procesit gjyqësor ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit pritet të dëshmojnë, sipas saj, se të dy të akuzuarit kanë bashkëpunuar me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë – BIA.
Prokurori special Bekim Kodraliu, në fjalën hyrëse në gjykim, tha se të pandehurit akuzohen për spiunazh, ndërsa Qerimi përballet edhe me akuzën për mbajtje të paautorizuar të armëve. Për këtë të fundit, ai e ka pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar.
Sipas prokurorit, Prokuroria ka siguruar më shumë se 30 raporte policore, materiale nga Agjencia e Forenzikës së Kosovës, konfirmime nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, si dhe materiale të tjera që, sipas tij, do të paraqiten gjatë procesit.
Kodraliu pretendoi se Bedri Shabani, përmes shtetasit serb Sërgjan Rosiq, kishte mbledhur dhe përcjellë informacione, dokumente dhe libra që lidhen me aktivitetet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas Prokurorisë, komunikimi është zhvilluar përmes telefonatave dhe takimeve fizike.
Një pjesë e pretendimeve të Prokurorisë lidhet edhe me spitalin e Mollopolcit dhe atë që në deklarimin e prokurorit është cilësuar si “Shtëpia e Verdhë” në Shqipëri. Prokuroria thotë se këtë pretendim synon ta mbështesë me prova materiale të sekuestruara dhe dokumentacion të ndryshëm.
Në kuadër të provave, sipas prokurorit, përfshihen edhe të dhëna për hyrje-daljet në Serbi, dokumente, albume fotografish, diagrame dhe materiale që pretendohet se janë gjetur në posedim të Shabanit.
Prokurori Kodraliu deklaroi gjithashtu se BIA po zhvillon aktivitet spiunazhi në Kosovë dhe se për këtë, sipas tij, ekzistojnë prova konkrete.
Ndërkohë, mbrojtja e të akuzuarit Bedri Shabani ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë. Avokati Besnik Berisha e ka cilësuar një nga provat e reja të prezantuara në gjykatë si “qesharake”.
Shabani dhe Qerimi janë duke u përballur me akuzat për spiunazh, ndërsa vendimi përfundimtar do të merret pas administrimit dhe vlerësimit të të gjitha provave nga gjykata.

Jagxhiu: Internet falas në 43 lokacione publike në 33 komuna të Kosovës
Murati: Kosova ul kufirin e pagesave me para të gatshme për të parandaluar financimet e paligjshme
Kosova dhe Maqedonia e Veriut synojnë thellimin e bashkëpunimit në bujqësi dhe siguri ushqimore
Në Leposaviq gjenden armë e pajisje ushtarake
Gjykimi për krime lufte, dëshmitarja rrëfen keqtrajtimin gjatë luftës
Kuçi: Aktorët e jashtëm mund të shfrytëzojnë tensionet për ta destabilizuar Kosovën
Akuzat për spiunazh, Prokuroria: Shabani dhe Qerimi bashkëpunuan me BIA-n
4.5 milionë euro investime për sportin në Mitrovicë