Prishtinë, 8 tetor 2026 12:15
Kërcënimet ndaj sigurisë së Kosovës nuk lidhen vetëm me një skenar të mundshëm ushtarak, por edhe me forma të luftës hibride, të cilat mund të zhvillohen gradualisht dhe të vështirësojnë identifikimin e autorit dhe reagimin institucional. Dezinformimi, sulmet kibernetike, ndikimi elektoral, sabotazhi, përdorimi i dronëve dhe provokimet lokale janë disa nga format përmes të cilave mund të synohet destabilizimi i vendit.
Eksperti i çështjeve të sigurisë, Gurakuç Kuçi, thotë për Veritasinfo se pikërisht veprimet që qëndrojnë nën pragun e një reagimi të drejtpërdrejtë ushtarak përbëjnë një nga rreziqet më serioze për Kosovën.
Sipas tij, “kërcënimi më serioz hibrid është ai që mbahet qëllimisht nën pragun e reagimit të NATO-s”, duke përfshirë një varg veprimesh që mund të zhvillohen pa prodhuar menjëherë një situatë që do të kërkonte reagim ushtarak.
Kuçi përmend si skenarë të mundshëm dezinformimin, sulmet kibernetike, ndikimin elektoral, sabotazhin, përdorimin e dronëve, provokimet lokale dhe operacionet me atribuim të paqartë.
Një element tjetër i rëndësishëm, sipas ekspertit, është mënyra se si një aktor i jashtëm mund të shfrytëzojë tensionet që ekzistojnë tashmë brenda një shoqërie, pa pasur nevojë të krijojë vetë një krizë.
“Aktori i jashtëm nuk ka nevojë ta krijojë krizën nga e para; mund t’i mjaftojë ta shfrytëzojë atë”, thekson Kuçi.
Në këtë kuadër, ai vlerëson se një protestë, polarizimi politik apo një incident lokal mund të shndërrohen në pika të dobëta nëse shoqërohen me fushata dezinformuese, provokime ose përpjekje për t’ia atribuar përgjegjësinë një pale tjetër.
Sipas tij, sfida kryesore për Kosovën nuk qëndron vetëm te kapacitetet konvencionale të sigurisë. Kuçi e veçon nevojën për koordinim më të madh institucional dhe për aftësi që mundësojnë identifikimin e shpejtë të kërcënimit dhe reagimin në fazat e para të një krize.
“Dobësia e Kosovës nuk qëndron kryesisht te mbrojtja konvencionale, ku KFOR-i mbetet faktor i fuqishëm dekurajues, por te inteligjenca e integruar, atribuimi i shpejtë i sulmeve, komunikimi strategjik dhe reagimi ndërinstitucional në orët e para të krizës”, thotë Kuçi.
Kjo, sipas tij, e bën luftën hibride një sfidë që nuk mund të përballohet vetëm nga institucionet e sigurisë, por kërkon bashkërendim ndërinstitucional, informim të saktë të publikut dhe aftësi për të dalluar në kohë ndërhyrjet që synojnë të përshkallëzojnë një incident të izoluar në një krizë më të gjerë.

Gjykimi për krime lufte në Gjilan, dëshmitari: “Me gjakun tim më vizatuan simbolet serbe në trup”
25 vjet pas policisë multietnike, shqiptarët në Luginën e Preshevës ende përballen me mungesë të përfaqësimit të barabartë në Serbi
Lokalizohet zjarri në Trepçë, 63 minatorë nisin të dalin nga miniera
Qeveria ndan 15 milionë euro për subvencionimin e faturave të energjisë për familjet e cenueshme
Apeli e kthen në rigjykim rastin ndaj Trajkoviqit, i dënuar për krime lufte
Arrestohet një person në Skenderaj për krime lufte kundër popullatës civile
Zgjedhjet nën llupë: Iniciativat Qytetare në Serbi ngrenë pikëpyetje për fushatën dhe faljet e Vuçiqit