Prishtinë, 8 tetor 2026 08:12
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar gjykimi ndaj pesë personave të akuzuar për krime lufte ndaj popullatës civile shqiptare në disa fshatra të rajonit të Gjilanit gjatë luftës së vitit 1999.
Gjatë seancës së së mërkurës është dëgjuar dëshmitari Behxhet Mehmeti, i cili ka rrëfyer për trajtimin që, sipas dëshmisë së tij, kishte përjetuar nga pjesëtarë të një grupi paramilitar.
Mehmeti ka deklaruar se, pasi ishte plagosur, gjaku që i kishte në fytyrë ishte përdorur nga paramilitarët për t’i vizatuar simbole serbe në gjoks.
“Me gjakun tim që e kam pas në fytyrë, më kanë vizatu simbolet serbe në gjoks”, ka deklaruar Mehmeti.
Në të njëjtën seancë është dëgjuar edhe dëshmitari Nazmi Hajdini. Ai ka rrëfyer për ngjarjet e 5 prillit 1999, kur, pasi kishte parë shtëpi duke u djegur në fshatin Kokaj, ishte larguar nga Llovca në drejtim të Pogragjës.
Sipas dëshmisë së Hajdinit, rreth orës 14:00 ai ishte takuar me R.D.L. dhe persona të tjerë, me të cilët kishin vendosur të ktheheshin në Llovcë për të marrë ushqim.
Gjatë rrugës, sipas tij, ata kishin parë disa vetura civile nga të cilat kishin dalë persona të armatosur dhe të veshur me uniforma ushtarake.
“Për një moment, kanë dalë njerëz me uniforma edhe neve na kanë zbrit prej traktorit. Na kanë urdhëru me u shtri në bark, edhe unë kam dëgju krisma të pushkës”, ka deklaruar Hajdini.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, pesë të akuzuarit – Dragan Cvetkoviq, Dragan Niciq, Milosh Shoshiq, Nenad Stojanoviq dhe Slobodan Jetivq – akuzohen se gjatë luftës, si pjesë e një grupi të armatosur, kanë kryer krime kundër popullatës civile në disa fshatra të rajonit të Gjilanit.
Prokuroria pretendon se në disa raste janë vrarë dhe keqtrajtuar civilë shqiptarë. Në një nga ngjarjet e përshkruara në aktakuzë, viktimat dyshohet se janë sulmuar dhe më pas trupat e tyre janë djegur.
Në seancën fillestare të mbajtur më 15 janar 2025, të pesë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm. Ata vazhdojnë të gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.
Prokuroria Speciale e Kosovës e kishte ngritur aktakuzën më 27 dhjetor 2024, ndërsa rasti ka të bëjë me një seri ngjarjesh të rënda të ndodhura në rajonin e Gjilanit gjatë vitit 1999.

25 vjet pas policisë multietnike, shqiptarët në Luginën e Preshevës ende përballen me mungesë të përfaqësimit të barabartë në Serbi
Lokalizohet zjarri në Trepçë, 63 minatorë nisin të dalin nga miniera
Qeveria ndan 15 milionë euro për subvencionimin e faturave të energjisë për familjet e cenueshme
Apeli e kthen në rigjykim rastin ndaj Trajkoviqit, i dënuar për krime lufte
Arrestohet një person në Skenderaj për krime lufte kundër popullatës civile
KRUM u jep afat konsumatorëve për deklarimin e kyçjeve të paautorizuara, paralajmëron masa ligjore
Gjykimi për krime lufte në Gjilan, dëshmitari: “Me gjakun tim më vizatuan simbolet serbe në trup”
Trump kërkon sqarime nga dy këshilltarët e tij, dyshohet se punuan për autoritetet e Republikës Serbe