Prishtinë, 1 tetor 2026 10:38
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e fushatës sensibilizuese kundër kancerit të gjirit, në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit “Tetori Rozë”.
Në fjalën e tij, Kurti theksoi rëndësinë e mbështetjes për gratë që po përballen me sëmundjen, por edhe për ato që e kanë përfunduar trajtimin, duke vënë theksin te kontrollet e rregullta dhe zbulimi i hershëm.
“Askush nuk duhet të përballet i vetëm apo e vetme me kancerin e gjirit. Jemi këtu për gratë që janë në trajtim dhe për ato të cilat e kanë përfunduar atë, që të rrisim vetëdijen për rëndësinë e kontrolleve të rregullta, pra të zbulimit të hershëm dhe të trajtimit në kohë”, tha Kurti.
Sipas të dhënave të prezantuara prej tij, gjatë vitit 2025 në Kosovë janë raportuar 601 raste të reja të kancerit të gjirit, prej të cilave 592 te gratë dhe 9 te burrat.
Kurti tha se situata sa i përket fazës në të cilën diagnostikohet sëmundja ka ndryshuar në vitet e fundit. Deri në vitin 2022, sipas tij, shumica e rasteve diagnostikoheshin në fazën e tretë ose të katërt.
“Falë shtimit të pajisjeve diagnostikuese dhe fushatave ndërgjegjësuese nga Ministria e Shëndetësisë dhe në bashkëpunim me organizatat joqeveritare, në vitet 2023 dhe 2024 shumica e rasteve u diagnostikuan në fazën e parë ose të dytë”, deklaroi ai.
Ai tha se i njëjti trend është evidentuar edhe gjatë vitit 2025.
“Mbi 53.4 për qind t rasteve janë diagnostikuar në stadet e hershme. Për këto raste, mundësitë për trajtim dhe shërim janë dukshëm më të mira. Zbulimi i hershëm është aq i rëndësishëm saqë është jetik”, u shpreh Kurti.
Kryeministri u bëri thirrje qytetarëve që të mos i neglizhojnë shqetësimet shëndetësore dhe të mos i shtyjnë kontrollet mjekësore.
“Shqetësimet nuk duhet t’i injorojmë dhe kontrollet nuk duhet t’i shtyjmë e vonojmë”, tha ai.
Në fjalën e tij, Kurti foli edhe për shërbimet diagnostikuese dhe investimet në pajisje mjekësore. Ai tha se mamografia në institucionet publike ofrohet falas që nga viti 2023, ndërsa një mamograf i ri tashmë është funksional në Fushë Kosovë.
“Përveç Fushë Kosovës, blihen edhe 8 mamografë të tjerë, e të gjithë digjitalë, të cilët do të vijnë këtë vit e do të shpërndahen nëpër komunat e Kosovës aty ku nuk ka”, tha Kurti.
Ai përmendi edhe dy akseleratorët e rinj të vendosur në Klinikën e Onkologjisë, duke theksuar se njëri prej tyre është i pajisur me sistemin SBRT për radioterapi me saktësi të lartë.
Kurti foli edhe për trajtimin pas përfundimit të terapive, duke theksuar se kujdesi ndaj pacienteve duhet të vazhdojë edhe pas përfundimit të trajtimit të kancerit.
“Nuk mjafton vetëm detektimi, por duhet trajtim i suksesshëm, pra shërim i plotë”, deklaroi ai.
Sipas Kurtit, gjatë tre viteve të fundit, në Klinikën e Kirurgjisë Plastike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë kryer 186 ndërhyrje për rekonstruktimin e gjirit.
“Të gjitha falas, pra pa asnjë kosto shtesë për qytetarët, dhe për këtë procedurë nuk ka më listë pritjeje”, tha ai
Në fund, Kurti iu drejtua veçanërisht grave që kanë zgjedhur ta ndajnë publikisht përvojën e tyre me sëmundjen, duke vlerësuar rolin e tyre në ndërgjegjësimin e shoqërisë.
“Zëri juaj është kurajo për ato e ata që janë diagnostikuar rishtazi dhe i nxit të tjerat e të tjerët të kujdesen më shumë për shëndetin e tyre”, tha Kurti

Sot protestohet kundër aktgjykimit të Speciales ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Nga nesër hyn në fuqi Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me EFTA-n
Qeveria rialokon 102 milionë euro për pagën e 13-të dhe shtesën 0.5 për përvojë pune
Aktakuzë ndaj një serbi për krime lufte në Kaçanik
Kurti: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së është i padrejtë, do të bëjmë gjithçka për korrigjimin e tij
Protesta “Jo në emrin tim!” hyn në ditën e 15-të
Kurti: Askush nuk duhet të përballet e vetme me kancerin e gjirit
Von der Leyen sot në Kosovë, pritet të takohet me Haxhiun e Kurtin
Ambasadori austriak: Integrimi në BE është garancia më e mirë e sigurisë