Zubin Potok, 27 shtator 2026 12:35
Policia e Kosovës ka arrestuar sot nëntë persona në komunën e Zubin Potokut, të dyshuar për përfshirje në krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Arrestimet janë realizuar në orët e hershme të mëngjesit, në kuadër të operacionit të koduar “Dosja 23”, i cili është zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, në mbështetje të njësive të tjera të specializuara policore dhe me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni lidhet me rastin e njohur si “Grupi i Intelektualëve”, ndërsa nëntë personat dyshohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Sipas informacioneve të siguruara nga Veritasinfo, personat e arrestuar janë:
Milan Gjuriq
Radisav Rashkoviq
Petar Utviq
Dragan Gjuriq
Vukadin Lepoviq
Jovica Mutavçiq
Svetisllav Gjukiq
Miroslav Radojeviq
Milosh Rashkoviq
Rasti lidhet me “Grupin e Intelektualëve të Mitrovicës”, i përbërë nga 23 persona, të cilët ishin zhdukur gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999.
Në kuadër të hetimeve për këtë rast, gjatë gërmimeve në lokacionet Kalludër dhe Jabukë, të zhvilluara nga 27 korriku deri më 21 gusht, janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin 23 personave të këtij grupi.
“Grupi i Intelektualëve” përbëhej nga profesionistë të ndryshëm, përfshirë mjekë, profesorë, avokatë dhe persona të tjerë nga rajoni i Mitrovicës, të cilët ishin zhdukur në prill të vitit 1999.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se detajet e tjera lidhur me operacionin dhe veprimet e ndërmarra do të bëhen publike në momentin kur informacioni mund të publikohet.
Hetimet për rastin janë në zhvillim.

Nëntë të arrestuar në Zubin Potok për krime lufte – operacioni lidhet me rastin “Grupi i intelektualëve”
Aksion i madh policor për krime lufte në veri: Rreth 10 të dyshuar në shënjestër për vrasjen e civilëve, bastisje në disa lokacione
Kurti kujton 23 anëtarët e familjes Deliu: “Drejtësia është detyrim”
Gërvalla mohon kontaktet me Specialen: Është betejë ligjore, jo deklaratash
Policia serbe ndalon në kufi kryetarin e Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare
28 vjet nga masakra e Abrisë së Epërme
Dosja 23: Mësohen emrat e nëntë serbëve të arrestuar për krime lufte në Zubin Potok
Fronti hibrid, alarm për sigurinë në Kosovë