Prishrinë, 26 shtator 2026 17:13
Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbrëmë mbledhjen e dytë elektronike, në të cilën ka miratuar një varg projektligjesh dhe vendimesh.
Ndër vendimet kryesore është miratimi i Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili përcakton themelimin, organizimin dhe kompetencat e Byrosë, si dhe procedurat për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Qeveria ka miratuar edhe një pako projektligjesh që lidhen me reformën në sistemin e drejtësisë.
Në këtë kuadër janë miratuar Projektligji për Rekrutimin, Vlerësimin e Performancës, Kontrollin e Integritetit dhe Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Projektligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, si dhe projektligjet për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve për Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Po ashtu, është miratuar Projektligji për Akademinë e Drejtësisë, i cili synon zhvillimin profesional të vazhdueshëm dhe të standardizuar të gjyqtarëve, prokurorëve dhe profesionistëve të tjerë të sistemit të drejtësisë.
Në mbledhje janë miratuar edhe Projektligji për Energjinë dhe Projektligji për Energjinë Elektrike.
Sipas njoftimit të Qeverisë, Projektligji për Energjinë synon të përcaktojë parimet dhe rregullat e përgjithshme për sektorin e energjisë, duke përfshirë sigurinë e furnizimit, pjesëmarrjen në tregjet rajonale dhe evropiane, mbrojtjen e konsumatorëve dhe integrimin e burimeve të ripërtërishme.
Ndërkaq, Projektligji për Energjinë Elektrike përcakton rregullat dhe masat për sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm dhe cilësor me energji elektrike, si dhe adresimin e objektivave klimatike të vendit.
Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Projektin e Lojërave Mesdhetare XXI në Kosovë.
Në mesin e vendimeve të tjera janë edhe Projektligji për Inovacion dhe Ndërmarrësi, i cili synon mbështetjen dhe promovimin e aktiviteteve inovative dhe ndërmarrëse, si dhe Projektligji për Pagesat e Vonuara në Transaksionet Tregtare.
Ky i fundit synon parandalimin e vonesave të pagesave në transaksionet tregtare dhe përcaktimin e rregullave për afatet dhe llogaritjen e kamatëvonesave ndërmjet shoqërive tregtare dhe ndërmjet tyre dhe autoriteteve publike.
Qeveria ka miratuar gjithashtu vendimet për t’i propozuar Kuvendit kandidatët për kryesues të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji dhe për dy anëtarë të këtij bordi.
Në mbledhje është miratuar edhe Deklarata e Prioriteteve Afatmesme të Qeverisë për periudhën 2027–2029, e cila përcakton kornizën e politikave për përgatitjen e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve dhe buxhetit vjetor.
Po ashtu, Qeveria ka marrë disa vendime për dhënien me qira të pjesëve të parcelave në zona të ndryshme kadastrale, kryesisht për nxjerrjen, përpunimin dhe shfrytëzimin e gurit gëlqeror dhe materialeve të tjera.
Ndër vendimet e tjera është edhe vazhdimi për tre muaj i mandatit të Komisionit për Verifikimin e Diplomave të Lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut, si dhe miratimi i listës së anëtarëve potencialë të Komisionit të Pranimit për Kategorinë e Ulët dhe të Mesme Drejtuese.
Qeveria ka miratuar edhe vendimin për pezullimin nga marrëdhënia e punës të një nëpunësi civil të kategorisë së lartë drejtuese

Kamberi: Beogradi bllokon fondet dhe tekstet shqip, por Lugina po flet në New York
Deklarata kundër Speciales, Haxhiu: Do të kontribuojmë në draftimin e saj
Projektligji për Specialen i dërgohet Qeverisë për shqyrtim
Kuvendi të hënën mban seancë
Kryesia e Kuvendit nis mbledhjen e parë të legjislaturës së 11-të
Ambasada amerikane konfirmon vazhdimin e bashkëpunimit me Kosovën
Qeveria miraton pakon e projektligjeve për reformën në drejtësi
Gërvalla mohon kontaktet me Specialen: Është betejë ligjore, jo deklaratash
Vdiq një 19-vjeçar pas vetaksidentit në rrugën Suharekë – Prizren