Prishtinë, 10 nëntor 2026 11:04
Mungesa e përdorimit të gjuhës shqipe në Federatën e Gjahtarëve të Maqedonisë së Veriut ka nxitur reagime dhe shqetësime për respektimin e të drejtave gjuhësore të gjahtarëve shqiptarë.
Federata e Gjahtarëve të Kosovës ka kërkuar që gjuha shqipe të trajtohet në mënyrë të barabartë në dokumentacionin zyrtar, komunikimin institucional dhe veprimtarinë profesionale të federatës homologe në Maqedoninë e Veriut.
Kryetarja e Federatës së Gjahtarëve të Kosovës, Evelina Ajazaj-Leka, ka bërë të ditur se problemet e evidentuara përfshijnë mungesën e shqipes në dokumentet zyrtare, mbishkrimet institucionale, literaturën profesionale dhe testet e provimeve për gjahtarë.
Sipas saj, kjo çështje është ngritur edhe gjatë takimit bilateral të mbajtur më 5 nëntor në Prishtinë, ku është nënshkruar Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet dy federatave. Në takim ishte i pranishëm edhe kryetari i Federatës së Gjahtarëve të Maqedonisë së Veriut, Vllatko Aleksovski.
Ajazaj-Leka ka theksuar se çështja kërkon zgjidhje institucionale dhe nuk duhet të personalizohet apo t’i atribuohet vetëm një individi.
Një tjetër shqetësim i ngritur lidhet me mungesën e përfaqësuesve shqiptarë në Komisionin Shtetëror për provimet nga fusha e gjuetisë. Sipas Federatës së Gjahtarëve të Kosovës, kjo situatë ngre pikëpyetje për përfshirjen e shqiptarëve në strukturat që merren me testimin dhe kualifikimin profesional të gjahtarëve.
Për këtë arsye, Ajazaj-Leka u ka bërë thirrje përfaqësuesve politikë shqiptarë në Kuvend dhe në institucionet qeveritare të Maqedonisë së Veriut që të angazhohen më fuqishëm për zbatimin praktik të të drejtave gjuhësore dhe përfaqësimin e barabartë.
Ajo ka ritheksuar se përdorimi i gjuhës shqipe nuk duhet të mbetet vetëm një deklarim parimor, por të jetë pjesë e praktikës së përditshme institucionale.
“Barazia gjuhësore nuk është privilegj, por e drejtë”, është mesazhi i përcjellë nga kryetarja e Federatës së Gjahtarëve të Kosovës.
Federata e Gjahtarëve të Kosovës ka shprehur gjithashtu gatishmërinë për të ofruar përvojën dhe mbështetjen e saj institucionale për adresimin e kësaj problematike.
Sipas reagimit, bashkëpunimi ndërmjet dy federatave daton që nga viti 2022, ndërsa takimi i fundit në Prishtinë synon vazhdimin e marrëdhënieve institucionale dhe trajtimin e çështjeve të përbashkëta.

Bizneset kosovare po zgjerojnë praninë e tyre në veri
Ramadani premton transparencë në hetimin për vrasjen e Arlinda Zekajt
Kurti fton diasporën në Francë të investojë në Kosovë
Gati tri dekada pas luftës, vetëm 77 persona të dënuar për krime lufte në Kosovë
Shqiptarët e Luginës votojnë për Këshillin Kombëtar, katër lista garojnë për 29 ulëse
Nisin punimet për fabrikën e municionit në Gjakovë
Kosova meriton avancimin evropian, Murtezaj vë në pah pengesat politike
FSK-ja avancon shkathtësitë taktike kundër terrorizmit
Policia asiston inspektorët në veri të Mitrovicës, tri lokale mbyllen përkohësisht