Prishtinë, 26 gusht 2026 07:12
Aktakuza e Prokurorisë Speciale ndaj Fatmir Shehollit, nën dyshimet për veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”, ka rikthyer në vëmendje aktivitetin e dyshuar të strukturave të inteligjencës së Serbisë dhe përpjekjet për ndikim brenda Kosovës.
Drejtori i Institutit Octopus, Arben Fetoshi, ka thënë se çështja e veprimtarisë agjenturore të Serbisë nuk duhet të kufizohet vetëm te rasti Sheholli. Sipas tij, në Kosovë janë konfirmuar disa raste të spiunazhit, përfshirë edhe raste që kanë përfunduar me vendime të formës së prerë.
Fetoshi ka vlerësuar se informacionet e publikuara për rastin Sheholli tregojnë, sipas tij, për përfshirjen e strukturave shtetërore të Serbisë dhe të BIA-s në operacione të ndikimit në Kosovë.
“Ajo që pamë sot, të raportuar nga mediat, për rastin e Shehollit, e shpërfaq qartazi angazhimin me interes të veçantë të strukturave shtetërore të Serbisë, të mbështetura në mënyrë ekzekutive nga BIA, për operacione të ndikimit brenda Kosovës”, ka deklaruar Fetoshi.
Sipas tij, këto strategji synojnë destabilizimin e vendit, thellimin e polarizimit politik e shoqëror dhe rritjen e mosbesimit ndaj institucioneve të Kosovës. Ai përmendi edhe përdorimin e narrativave që lidhen me radikalizmin fetar dhe paraqitjen e Kosovës si vend me ekstremizëm islamik.
“Këto konsistojnë në destabilizimin e vendit tonë, në thellimin e polarizimit dhe në rritjen e mosbesimit ndaj institucioneve”, ka thënë Fetoshi.
Ai theksoi se luftimi i spiunazhit kërkon bashkëpunim ndërmjet institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë, duke vlerësuar se rastet e identifikuara mund të jenë vetëm pjesë e një fenomeni më të gjerë.
“Kosova me këto raste tashmë ka dëshmuar kapacitete për të neutralizuar kërcënimin që vjen nga rrjetet e spiunazhit”, ka deklaruar ai.
Politologu Dorajet Imeri e ka vlerësuar ngritjen e aktakuzës ndaj Shehollit si dëshmi se institucionet e drejtësisë e kanë trajtuar rastin në mënyrë profesionale. Megjithatë, ai ka theksuar se Kosova vazhdon të jetë e ekspozuar ndaj përpjekjeve të Serbisë për ndikim në zhvillimet politike, shoqërore dhe ekonomike.
“Sa e ekspozuar është Kosova në raport me Serbinë dhe sa shumë stresuese është përpjekja e Serbisë për të penguar të gjitha proceset politike, shoqërore dhe ekonomike që ka vendi ynë”, ka thënë Imeri.
Imeri ka vlerësuar si inkurajues identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar për spiunazh, duke e cilësuar bashkëpunimin ndërmjet Policisë së Kosovës, AKI-së dhe Prokurorisë si të domosdoshëm. Në të njëjtën kohë, ai ka theksuar se për rastin konkret duhet pritur vendimi i gjykatës.
Ndërkaq, hulumtuesi i Hibrid.info, Festim Rizanaj, është fokusuar te ndikimi i narrativave dhe propagandës serbe. Sipas tij, polarizimi politik dhe shoqëror në Kosovë krijon hapësirë për përdorimin e narrativave të ndryshme edhe në përplasjet e brendshme politike.
“Ky polarizim shoqëror edhe politik po e krijon një lloj vakumi që, deshe apo s’deshe, pa ndonjë qëllim të caktuar, edhe dikush tjetër po i përdor këto narrativa për ta sulmuar kundërshtarin e vet politik të brendshëm”, ka deklaruar Rizanaj.
Ai ka thënë se propaganda serbe ka vazhdimësi dhe se narrativat e saj shpesh lidhen me zhvillime konkrete në Kosovë, veçanërisht me çështjet që lidhen me komunitetin serb, pretendimet për sulme ndaj trashëgimisë fetare dhe narrativat për radikalizmin islam.
“Këto janë ato elementet kryesore nëpërmjet të cilave Serbia mundohet me paraqit komunitetin serb këtu si viktimë, këtë me shit në gjeopolitikë, në arenën ndërkombëtare”, është shprehur Rizanaj.
Publicisti Sadik Zeqiri ka folur për të kaluarën e Fatmir Shehollit dhe pretendimet për lidhjet e tij me shërbimet inteligjente serbe. Sipas tij, Sheholli ka pasur kontakte dhe bashkëpunim me struktura serbe para dhe gjatë luftës në Kosovë.
“Ai e ka pranuar vetë që ka qenë pjesë e shërbimeve inteligjente të Serbisë, gjatë dhe para luftës në Kosovë”, ka deklaruar Zeqiri.
Zeqiri ka pretenduar gjithashtu se Sheholli ka bashkëpunuar me BIA-n serbe dhe se ka qenë i angazhuar në institucione të ndryshme ku kanë pasur rol partitë serbe.
Ndërkohë, për rastin konkret, vendimin përfundimtar do ta japë gjykata, ndërsa akuzat ndaj Shehollit mbeten pjesë e procedurës penale deri në një vendim të formës së prerë.

Hapi i radhës drejt funksionalizimit të Fabrikës së Municioneve në Gjakovë
“Agjenturat serbe kanë rritur aktivitetin”/Eksperti i sigurisë kërkon fokus të shtuar në brezin kufitar
Kurti: Nuk është në rregull që Radoiçiq është ende i lirë
Policia demanton pretendimet serbe: Asnjë armë nga Kosova nuk është përdorur për zjarrin në territorin e Serbisë
Njohësit e sigurisë: Narrativat serbo-ruse synojnë të frikësojnë serbët e Kosovës
Kosova dhe Shqipëria përfitueset e para nga fondi i ShBA-së
Zhvillohet takimi, drejtuesve të Trepçës u prezantohet oferta e donatorëve nga Amerika
Vdes në QKUK këmbësori i goditur nga vetura në rrugën Podujevë–Prishtinë
“Serbia synon destabilizimin e Kosovës”, ekspertët flasin pas aktakuzës ndaj Shehollit
Sheholli mbante shënime edhe për infrastrukturën kritike të Kosovës, përfshirë Ujmanin