Preshevë, 25 gusht 2026 18:12
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka kritikuar presidentin serb Aleksandar Vuçiq për, siç ka thënë, tolerimin e gjuhës së urrejtjes dhe fyerjeve ndaj shqiptarëve gjatë vizitës së tij të fundit në Luginën e Preshevës.
Kamberi, përmes një reagimi publik, ka ngritur pikëpyetje lidhur me mesazhet që, sipas tij, presidenti serb u përcolli shqiptarëve gjatë tubimeve në Llopardincë dhe Strezoc. Ai ka thënë se në praninë e Vuçiqit janë dëgjuar deklarata fyese dhe përçmuese ndaj shqiptarëve, përfshirë përdorimin e termit fyes “Šiptar”.
Në reagimin e tij, Kamberi është ndalur veçanërisht te premtimi i Vuçiqit për punësimin në Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit (BIA) të një qytetari që kishte përdorur këtë shprehje.
“A e konsideroni të pranueshme që një qytetar i cili publikisht shpreh urrejtje dhe përçmim ndaj shqiptarëve të shpërblehet me premtimin e Presidentit të Republikës për punësim në BIA, dhe atë jashtë konkursit dhe procedurave të rregullta ligjore?”, ka pyetur Kamberi.
Ai ka kërkuar nga Vuçiqi të sqarojë nëse një veprim i tillë krijon përshtypjen se “gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve në Serbi shpërblehet me privilegje dhe punësim në institucionet e sigurisë”.
Kamberi ka kritikuar gjithashtu presidentin serb për atë që e konsideron heshtje ndaj deklaratave raciste dhe antishqiptare të bëra në tubimet publike. Sipas tij, institucionet shtetërore duhet të dënojnë gjuhën e urrejtjes dhe të garantojnë trajtim të barabartë për të gjitha komunitetet.
Deputeti shqiptar ka ngritur edhe çështjen e investimeve dhe projekteve në Luginën e Preshevës. Ai ka thënë se, ndonëse Vuçiqi ka premtuar fabrika, vende pune dhe ndërtimin e një shkolle për nxënësit serbë, kërkesat e komunave shqiptare për investime në shkollat në gjuhën shqipe nuk janë trajtuar në mënyrë të barabartë.
Kamberi ka përmendur konkretisht kërkesën e Komunës së Preshevës për ndërtimin ose renovimin e dy shkollave në gjuhën shqipe, si dhe shkollën në fshatin Lluçan të Bujanocit.
Në fund, Kamberi ka kërkuar nga presidenti serb përgjigje të drejtpërdrejtë nëse e dënon gjuhën e urrejtjes ndaj shqiptarëve dhe pse, sipas tij, nuk i ka dënuar deklaratat fyese në momentin kur ato janë bërë publike.
“A e dënon Presidenti i Republikës së Serbisë gjuhën e urrejtjes ndaj shqiptarëve? Dhe pse nuk i dënuat këto deklarata aty, në vendngjarje, në momentin kur u shfaq dhe u artikulua kjo urrejtje?”, ka pyetur Kamberi.

Policia e Kosovës: Fushatat zgjedhore të Serbisë nuk lejohen në Kosovë
Zgjedhjet në Serbi, Janjiq: Ndikimi rus është jashtëzakonisht i madh
Kamberi i përgjigjet Vuçiqit: “Çfarë të pengon te shqiptarët e bashkuar?”
Zgjedhjet nën llupë: Iniciativat Qytetare në Serbi ngrenë pikëpyetje për fushatën dhe faljet e Vuçiqit
Kamberi: Diskriminimi shtetëror serb ndaj shqiptarëve kërkon përgjigje të përbashkët
Shiroka-Pula nis zyrtarisht mandatin si presidente e Kosovës
Vëlla e motër, viktimat e krimit të sotëm në Gjilan
Shiroka Pula dhe Jashari diskutojnë për sigurinë në Kosovë
Dy të vrarë dhe një i plagosur në Livoç të Ulët, i dyshuari dorëzohet në Polici
Akuzat për spiunazh, Prokuroria: Shabani dhe Qerimi bashkëpunuan me BIA-n