Prishtinë, 5 gusht 2026 14:38
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vizituar sot punimet në projektin për ndërtimin e urës së re mbi lumin Ibër në Mitrovicë, e cila do të lidhë Zhabarin me Gushacin.
Kurti ka bërë të ditur se kjo urë paraqet një investim të rëndësishëm infrastrukturor, i cili synon të përmirësojë qarkullimin e qytetarëve, të rrisë sigurinë dhe t’u mundësojë institucioneve të rendit qasje më të shpejtë në të dyja anët e lumit.
“Në Mitrovicë pamë nga afër punimet në projektin për ndërtimin e urës së re mbi lumin Ibër që do të lidhë Zhabarin me Gushacin, e cila do të rrisë sigurinë dhe do t’u mundësojë organeve të rendit qasje më të lehtë dhe më të shpejtë në të dyja anët”, ka shkruar Kurti në një postim në Facebook.
Sipas tij, ura do të ndikojë edhe në zhvillimin ekonomik të kësaj zone, duke krijuar kushte më të mira për ndërlidhjen e qytetarëve dhe qarkullimin më efikas.
“Ajo përbën një investim të rëndësishëm infrastrukturor, i cili do të përmirësojë ndërlidhjen e qytetarëve dhe do të krijojë kushte më të mira për zhvillimin ekonomik të kësaj zone”, ka deklaruar Kurti.
Projekti parasheh ndërtimin e një ure me gjatësi prej 65 metrash dhe gjerësi prej 22.5 metrash, e cila do të ketë katër korsi qarkullimi me nga 3.5 metra secila, si dhe trotuare me gjerësi prej 2.2 metrash në të dyja anët.
Në kuadër të projektit do të ndërtohen edhe dy rreth-rrotullime dhe një segment i ri rrugor me gjatësi prej 500 metrash. Po ashtu, është paraparë edhe rehabilitimi i shtratit të lumit Ibër në një gjatësi prej 525 metrash dhe gjerësi prej 47 metrash, me qëllim të rritjes së sigurisë dhe mbrojtjes së infrastrukturës përreth.
Sipas Kurtit, punimet po zhvillohen sipas planit dinamik, ndërsa me ritmin aktual pritet që ura të përfundojë brenda këtij viti.

Operacion i madh kundër narkotikëve, pesë të arrestuar dhe heroinë mbi gjysmë milioni euro
Pas identifikimit të tre viktimave të luftës, priten identifikime të tjera në ditët në vijim
Identifikohen mbetjet mortore edhe të personave nga “Grupi i Intelektualëve” të zhdukur gjatë luftës
Aksion ndërkombëtar kundër mashtrimeve me investime, bastisen pesë lokacione në Kosovë – arrestohen tre persona
Lansohet Platforma e Identitetit Elektronik, Kurti: Hap i rëndësishëm drejt digjitalizimit
908 milionë euro të parapara për komunat në projektbuxhetin e vitit 2027
Demokratët marrin kontrollin e të dy dhomave të Kongresit amerikan, goditje politike për Trumpin