Prishtinë, 5 gusht 2026 06:58
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se takimi i dytë me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është zhvilluar në frymë konstruktive, por pa arritur ende një marrëveshje politike.
Pas takimit, Abdixhiku tha se LDK-ja mbetet e përkushtuar për të shmangur zgjedhjet e reja dhe për të kontribuar në krijimin e stabilitetit institucional në vend.
“Ky ishte takimi i dytë pas zgjedhjeve, me vullnet të mirë, me respektim të plotë të rezultatit zgjedhor dhe me gatishmërinë tonë si LDK që me çdo kusht t’i shmangim zgjedhjet e reja. Republika e Kosovës ka nevojë për stabilitet institucional dhe për punë, më shumë sesa për drama politike”, tha Abdixhiku.
Ai bëri të ditur se gjatë takimit janë diskutuar çështje programore, politike dhe strategjike për vendin, ndërsa theksoi se bisedimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Sipas tij, LDK-ja mbetet në qëndrimet e saj se vendit i duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila garanton stabilitet institucional dhe balancë demokratike në institucionet e Kosovës.
“LDK-ja qëndron brenda parimeve të bëra publike. Na duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse për të ruajtur stabilitetin institucional dhe një balancë demokratike brenda institucioneve të Republikës. Në këtë balancë demokratike, LDK-ja duhet të ndihet e përfaqësuar”, u shpreh ai.
Ai paralajmëroi se, nëse nuk arrihet një marrëveshje, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja, duke shtuar se kjo nuk do të ishte në interes të qytetarëve.
“Do të vazhdojmë takimet, po, ka vullnet të mirë. Nëse nuk bëjmë asgjë, e vetmja gjë e garantuar do të jenë zgjedhjet e reja. Besoj se kjo nuk është lajm i mirë as për popullin e Kosovës dhe as për partitë politike”, deklaroi ai.
Abdixhiku konfirmoi se në takim nuk është diskutuar për emra konkretë për presidentin e ardhshëm, por vetëm për parimet e një marrëveshjeje të mundshme.
“Nuk kemi folur për emra konkretë, ende jemi në diskutime për parimet”, tha Abdixhiku.
Ai shtoi se LDK-ja nuk ka pretendime për postin e kryetarit të Kuvendit, duke e cilësuar atë si të drejtë të partisë fituese të zgjedhjeve.
“Në qoftë se deri më 6 gusht nuk do të marrëveshje, mund të vazhdohen proceset tutje me konstituimin e Kuvendit, sepse s’ka nevojë që të pritet. LDK-ja nuk ka asnjë apetit për kryetarin e Kuvendit, sepse është figurë ceremoniale e cila duhet të përfaqësojë, siç e thotë Kushtetuta, propozimin e partisë së parë. Dhe në këtë drejtim, LDK-ja e jep emrin e vet për nënkryetar të Kuvendit. Për çështjet e tjera, më pas kemi afat kohor shtesë – sa më herët, aq më mirë që bëjmë zgjidhje, sepse Kosova ka shumë probleme e shumë sfida përpara, dhe në këtë drejtim duhet t’i japim zgjidhje konkrete”, shtoi Abdixhiku.
I pyetur për zgjedhjen e presidentit, Abdixhiku tha se një president konsensual është ai që siguron 80 vota në Kuvend, ndërsa përsëriti se LDK-ja duhet të ndihet e përfaqësuar në institucionet e vendit në mënyrë që të japë mbështetjen e saj.
I pyetur nëse i ka të sigurta votat e deputetëve të LDK-së për marrëveshje me Vetëvendosjen, Abdixhiku theksoi:
“E kam thënë shpeshherë: për marrëveshje të mirë, LDK-ja i ka të gjitha votat. Për marrëveshje jo të mirë, nuk e ka as votën time si kryetar i saj. Pra, nuk mund të diskutoj për mbështetje politike pa pasur substancë. Fillimisht duhet të ndërtohet marrëveshja, më pas të prezantohet ajo marrëveshje dhe më pas do të flasim për aritmetikë – për numra, për mundësi të realizimit e kështu me radhë. Po përpiqemi për balancë institucionale. Kërkoj falje që s’mundem më shumë t’ju jap detaje sepse jemi në proces diskutimi dhe ju lus që të keni mirëkuptim për këtë çështje”, tha Abdixhiku.
Në fund, ai theksoi se marrëveshjet politike nuk duhet ta ndryshojnë rezultatin zgjedhor.
“Kemi pasur dakordësi të plotë që marrëveshjet në tavolinë nuk e përmbysin rezultatin zgjedhor. Po përpiqemi të gjejmë zgjidhjen më të mirë për Republikën e Kosovës brenda rrethanave aktuale”, përfundoi Abdixhiku.

Plani famëkeq i Serbisë në Veriun e Kosovës – “Nuk ka kufoma, nuk ka krim”
Kurti pas takimit me Abdixhikun: Ende s’ka marrëveshje
Shqipëria i kërkon Ekuadorit njohjen e Kosovës, Begaj: Kontribut për paqen dhe stabilitetin në Ballkan
Ministri i Mbrojtjes i Bosnjës akuzon Vuçiqin se ka futur grupe të armatosura të padeklaruara në BiH
Stradner: Serbia nxit tensione me Kosovën, OSBE të mos mblidhet në Serbi
Mali i Zi hedh poshtë nismat e komunave: Njohja e Kosovës nuk vihet në pikëpyetje
Prokuroria: Radojeviq bashkë me të tjerë fshehën trupat e 23 viktimave në dy varreza
Abdixhiku: Ende s’kemi marrëveshje, por ka vullnet për të shmangur zgjedhjet