Prishtinë, 15 korrik 2026 07:29
Një memorandum sekret i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara (CIA), i hartuar më 27 janar 1993 dhe i deklasifikuar vite më vonë, paralajmëronte se projekti i “Serbisë së Madhe” përbënte kërcënimin më serioz për Ballkanin dhe Evropën gjatë viteve ’90.
Dokumenti 13-faqësh, me titull “Greater Serbia: A Balkan Troublemaker for the 1990s”, është përgatitur nga Drejtoria e Inteligjencës, Zyra për Analizën Evropiane, dhe bazohet në një analizë të përbashkët të CIA-s, Departamentit Amerikan të Shtetit, Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes (DIA) dhe Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së.
Në përmbledhjen e dokumentit thuhet se vendosmëria e Beogradit për të krijuar një “Serbi të Madhe” etnikisht të pastër ishte e palëkundur, ndërsa çdo qëndrim më pajtues i presidentit serb Slobodan Millosheviq dhe serbëve të Bosnjës në negociatat ndërkombëtare shihej vetëm si një manovër taktike për të fituar kohë.
CIA arrinte në përfundimin se Serbia nuk do të ndalte mbështetjen për projektin e “Serbisë së Madhe” me forcë, përveç nëse komuniteti ndërkombëtar do të ndërmerrte masa të forta, si zbatimi rigoroz i sanksioneve ekonomike, izolimi politik, armatosja e Bosnjës dhe Kroacisë, vendosja e zonës së ndalim-fluturimit dhe sulme ajrore ndaj objektivave ushtarake serbe.
Në analizë thuhet se, pa një ndërhyrje të fuqishme ndërkombëtare, ekzistonte një probabilitet i lartë që një “Serbi e Madhe” të shndërrohej në një forcë destabilizuese në Evropë deri në mesin e dekadës. Sipas dokumentit, pasi Beogradi të konsolidonte pushtetin dhe territorin, do të nxiste konflikte me fqinjët, do të përdorte forcë edhe jashtë kufijve të tij, do të niste spastrimin etnik të Kosovës, do të përpiqej të siguronte armë të shkatërrimit në masë dhe do të synonte zgjerimin në pjesë joserbe të Maqedonisë, Bosnjës dhe bregdetit kroat.
Dokumenti vlerëson gjithashtu se gjendja e shqiptarëve të Kosovës do të përkeqësohej brenda një viti, pasi balanca politike në Serbi po anonte gjithnjë e më shumë drejt grupeve nacionaliste që mbështesnin spastrimin etnik të Kosovës.
Sipas analizës, Millosheviqi, nacionalistët serbë dhe ushtria ishin shtytësit kryesorë të politikës ekspansioniste serbe, ndërsa largimi i tij nga pushteti nuk do të ndryshonte domosdoshmërisht kursin e Beogradit, pasi ushtria dhe grupet nacionaliste ndanin të njëjtat objektiva.
Sipas analizës, Millosheviqi, nacionalistët serbë dhe ushtria ishin shtytësit kryesorë të politikës ekspansioniste serbe, ndërsa largimi i tij nga pushteti nuk do të ndryshonte domosdoshmërisht kursin e Beogradit, pasi ushtria dhe grupet nacionaliste ndanin të njëjtat objektiva.
Në përfundim, dokumenti thekson se edhe në rast të largimit të Millosheviqit nga pushteti, ushtria dhe nacionalistët do të mbeteshin faktorët dominues në Serbi.
Sipas CIA-s, një “Serbi e Madhe” edhe pa Millosheviqin do të vazhdonte të destabilizonte rajonin dhe të mbështeste krijimin e një shteti etnikisht të pastër, ndërsa shqiptarët e Kosovës mund të shmangnin dëbimin ose spastrimin etnik vetëm nëse pasardhësi i tij do të ishte politikisht shumë më i dobët.
Kjo lidhet direkt me deklaratën fashiste të Snezana Paunoviqit, ministre e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Serbi.
Paunoviq deklaroi të shtunën për televizionin serb Kurir se, po të ishte në vend të Millosheviqit në vitin 1998, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën” – deklaratë që nxiti reagime dhe dënime edhe në Kosovë.
Millosheviq ishte president i Republikës Federale të Jugosllavisë dhe i akuzuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte.
“Kjo është deklarata më e ashpër që kam bërë ndonjëherë në jetën time”, tha Paunoviq.
Ajo tha se “nuk do t’i kishte likuiduar shqiptarët ashtu siç ata po përpiqen ta pastrojnë etnikisht Kosovën, por në atë mënyrë që secili që ndihej më pak qytetar i Republikës Federale të Jugosllavisë, të largohej dhe të shkonte në shtetin e vet amë”.
Në një reagim të publikuar më 14 korrik, Paunoviq tha se nuk heq dorë nga politika e Partisë Socialiste të Serbisë – pjesë e së cilës është që nga viti 1992.

Serbët nuk fshihen më, shfaqin dëshirat për spastrim të
Kryeministri Rama: Nuk ekziston më diçka që quhet Kosova dhe Metohia, ekziston Republika e Kosovës
Qeveria reagon ndaj deklaratës së ministres serbe për “spastrimin etnik”: Serbia nuk është distancuar nga politika e Millosheviqit
Shqipëria dënon deklaratën e ministres serbe për “spastrim etnik” në Kosovë
Kamberi kërkon shkarkimin e ministres serbe pas deklaratave për spastrim etnik të Kosovës
BE i reagon Paunoviqit: Deklaratë kundër vlerave njerëzore dhe fqinjësore
Konunat e udhëhequra nga Lista Serbe në errësirë informative, pa transparencë dhe pa informim publik me muaj të tërë
Dokumenti i CIA-s: Në vitin 1993 SHBA paralajmëronte se Serbia synonte spastrimin etnik të Kosovës dhe destabilizimin e Ballkanit