Prishtinë, 13 tetor 2026 21:44
Kosova ka propozuar një marrëveshje financiare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me qëllim që kampi ushtarak Bondsteel të shndërrohet në bazë të përhershme amerikane. Kështu ka deklaruar senatori amerikan Dick Durbin, i cili vlerësoi se propozimi i kryeministrit Albin Kurti duhet të shqyrtohet seriozisht.
Sipas Durbin, Qeveria e Kosovës ka paraqitur një propozim financiar për këtë çështje, i cili, sipas tij, nuk do të përbënte ndonjë sakrificë të madhe financiare.
Radio Evropa e Lirë ka kërkuar sqarime nga Pentagoni dhe Qeveria e Kosovës lidhur me detajet e marrëveshjes së propozuar, por deri në publikimin e raportimit nuk kishte marrë përgjigje.
Senatori amerikan bëri të ditur se gjatë takimit me Kurtin, më 12 tetor në Prishtinë, kryeministri u kishte prezantuar senatorëve një hartë të Kosovës, duke ua shpjeguar rreziqet e sigurisë në rajon.
“Ne duam që të gjithë të jenë të sigurt dhe në paqe, dhe mendoj se prania e KFOR-it këtu e ka kryer mirë këtë detyrë”, ka deklaruar Durbin.
Kampi Bondsteel, i vendosur pranë Ferizajt, është baza më e madhe ushtarake amerikane në Ballkan. Ai u ndërtua në vitin 1999, pas përfundimit të luftës në Kosovë, në kuadër të pranisë ushtarake ndërkombëtare.
Kryeministri Kurti e ka përsëritur disa herë kërkesën që Bondsteeli të shndërrohet në bazë të përhershme amerikane, duke e konsideruar një prani të tillë si faktor për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë afatgjatë në Kosovë dhe rajon.
Ndërkohë, Ushtria amerikane ka njoftuar për ndryshime në përbërjen e trupave të saj në Kosovë. Sipas njoftimit, pjesëtarët e Gardës Kombëtare do të zëvendësohen me forca nga Regjimenti i 2-të i Kalorësisë dhe Divizioni i 1-rë i Këmbësorisë.
Ky rotacion, sipas ushtrisë amerikane, është pjesë e përshtatjes së misionit të KFOR-it me kushtet e sigurisë dhe strategjinë e re të NATO-s, e cila parasheh që aleatët evropianë të marrin përgjegjësinë kryesore për sigurinë. Megjithatë, SHBA-ja ka theksuar se mbështetja për KFOR-in do të vazhdojë pa ndërprerje.
Senatorët amerikanë për marrëdhëniet Kosovë-SHBA
Durbin dhe senatorja Jeanne Shaheen, të dy nga Partia Demokratike, po qëndrojnë në Kosovë në kuadër të një vizite në Ballkanin Perëndimor. Gjatë qëndrimit në Prishtinë, ata janë takuar me presidenten Justina Shiroka-Pula, kryeministrin Albin Kurti dhe përfaqësues të Listës Serbe.
Në fokus të diskutimeve kanë qenë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, siguria, anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe pezullimi i Dialogut Strategjik mes dy vendeve.
Shaheen ka thënë se do të ishte pozitive që dialogu strategjik të rifillonte, duke përmendur njëkohësisht ndryshimet në administratën amerikane dhe në Departamentin e Shtetit si sfida për këtë proces.
SHBA-ja e pezulloi Dialogun Strategjik me Kosovën më 12 shtator 2025, duke shprehur shqetësime lidhur me veprimet e atëhershme të Qeverisë së Kosovës ndaj institucioneve serbe që funksiononin në vend.
Gjatë vizitës, senatorët kanë shprehur mbështetje për vazhdimin e partneritetit të sigurisë me Kosovën dhe për aspiratat e saj euroatlantike.
Sa i përket anëtarësimit të Kosovës në NATO, Shaheen ka deklaruar se shpreson që vendi të përparojë drejt këtij synimi.

Dokumentacioni kadastral mbetet i pakthyer, Kurti: Serbia nuk e respektoi marrëveshjen
Konjufca: Sulmet në Banjskë dhe Ibër-Lepenc treguan kërcënimet ndaj sigurisë së Kosovës
Kuçi: Fushata elektorale në Serbi po normalizon ambientin politik armiqësor ndaj Kosovës
BE-ja miraton sanksione të reja ndaj Rusisë
Kurti: Partneriteti strategjik me SHBA-në mbetet prioritet i Kosovës
Lista Serbe merret me fushatën zgjedhore në Serbi, ndërsa projektet kapitale në veri presin
Operacion i Policisë në Fushë Kosovë pas kërcënimit me mjete shpërthyese
Kosova propozon marrëveshje me SHBA-në për të ardhmen e Bondsteelit
Të premten rivarrosen eshtrat e heroit të Kosovës, Idriz Rrecaj
Policia gjen armë, municion dhe pajisje ushtarake në veri të Kosovës