Prishtinë, 13 tetor 2026 08:25
Njohësi i zhvillimeve politike dhe çështjeve të sigurisë, Gurakuç Kuçi, ka vlerësuar se fushata elektorale në Serbi po nxjerr në pah një klimë politike armiqësore ndaj Kosovës, duke pretenduar se në diskursin politik serb vazhdojnë të jenë të pranishme synimet për Kosovën.
Në një reagim të tij, Kuçi ka thënë se Kosova është një nga temat kryesore të partive që ai i cilëson si pasardhëse të regjimit të Slobodan Millosheviqit, duke argumentuar se zgjedhjet në Serbi po shfaqin atë që ai e përshkruan si vazhdimësi të ideve të “Serbisë së Madhe”, tashmë të artikuluara përmes konceptit të “Botës Serbe”.
Sipas Kuçit, deklaratat e zyrtarëve serbë gjatë fushatës dëshmojnë për vazhdimësinë e pretendimeve politike ndaj Kosovës.
“Daçiq, në fushatën e tij, shpërfaq planin se si synojnë që një ditë ta ripushtojnë Kosovën, duke valëvitur përsëri flamurin në Prizren”, ka shkruar Kuçi.
Ai është ndalur edhe te shfaqja publike e Milan Radoiçiqit në aktivitetet politike në Serbi, duke e lidhur këtë me zhvillimet politike dhe sigurinë në raport me Kosovën.
“Në anën tjetër, kryeterroristi Milan Radoiçiq shfaqet lirshëm në fushatën politike për të krijuar terrenin që të fitojë përsëri regjimi i Vuçiqit”, ka deklaruar Kuçi.
Kuçi ka kritikuar gjithashtu qasjen e disa vendeve perëndimore ndaj Serbisë, duke vlerësuar se përpjekjet për ta afruar Beogradin me Perëndimin dhe për ta larguar nga Rusia nuk duhet të shoqërohen me tolerim të veprimeve që, sipas tij, cenojnë fqinjët e Serbisë.
Ai ka paralajmëruar se një qasje e tillë mund të krijojë një kulturë të pandëshkueshmërisë, e cila, sipas tij, mund të ushqejë ekstremizmin dhe të rrisë rrezikun për destabilizim.
“Paramendoni sikur BE-ja të dëgjonte deklarata të tilla nga politikanët në Kosovë. Menjëherë do të pasonin sanksione, kërcënime e gjithçka tjetër”, ka shkruar ai.
Në fund, Kuçi ka bërë thirrje që të mos normalizohet ajo që e quan “gjuhë e mobilizimit të masave” përmes retorikës nacional-shoviniste.
Ai ka argumentuar se vazhdimi i bashkëpunimit diplomatik me Beogradin, pa kërkuar përgjegjësi konkrete institucionale, mund të ndikojë në forcimin e kësaj klime politike.
“Politika e paqëtimit ndaj Beogradit rrezikon ta ushqejë këtë klimë kur bashkëpunimi diplomatik vazhdon pa kërkuar përgjegjësi konkrete institucionale”, ka përfunduar Kuçi.

BE-ja miraton sanksione të reja ndaj Rusisë
Kurti: Partneriteti strategjik me SHBA-në mbetet prioritet i Kosovës
Lista Serbe merret me fushatën zgjedhore në Serbi, ndërsa projektet kapitale në veri presin
Vuçiq dhe Radoiçiq në të njëjtën skenë politike, fotografia e lidhjeve mes pushtetit dhe krimit
Roth: Serbia e gjorë, pretendimet ndaj një fqinji e çojnë drejt luftës, jo BE-së
Qeveria e Kosovës: Shfaqja e Radoiçiqit në tubimin e SNS-së dëshmi e lidhjeve me Serbinë
Kosovës i shtohen 13 objekte në listën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore