Prishtinë, 13 tetor 2026 11:50
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Serbia nuk ia ka dorëzuar Kosovës dokumentacionin kadastral, ndonëse marrëveshja për kthimin e tij ishte nënshkruar më 2 shtator 2011.
Kurti i bëri këto deklarata në ceremoninë përmbyllëse të projektit PIAKOS, të organizuar nga Qendra për Avokim dhe Trajnim dhe Banka Botërore, ku foli për rëndësinë e dokumentacionit pronësor dhe ndikimin e tij në sigurinë juridike të qytetarëve.
“Janë bërë më shumë se 15 vjet që Serbia nuk na ka dorëzuar dokumentacionin kadastral, edhe pse marrëveshja ndërshtetërore është nënshkruar me datë 2 shtator 2011”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka theksuar se Bashkimi Evropian kishte ndarë dy milionë euro për këtë proces, por, sipas tij, Kosova ende nuk e ka marrë as kopjen e dokumentacionit.
“E ata s’na e kanë dorëzuar as kopjen e dokumentacionit kadastral, se le më origjinalin”, ka thënë Kurti.
Dokumentacioni kadastral, i cili përmban të dhëna të rëndësishme për pronat dhe të drejtat pronësore, është çështje me rëndësi për zgjidhjen e kontesteve pronësore dhe garantimin e sigurisë juridike të qytetarëve.
Kurti ka theksuar se dokumentet e pronësisë nuk janë vetëm çështje administrative, por kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e familjeve, veçanërisht në mundësinë për të përfituar nga programet publike të renovimit, rindërtimit të shtëpive dhe banimit social.
“Dokumentacioni është garantues i sigurisë juridike, që është parakusht për sigurinë e shtëpisë, banesës, e po ashtu edhe të mirëqenies dhe dinjitetit të një familjeje”, ka deklaruar ai.
Ai ka shtuar se banimi i sigurt është pjesë e të drejtave themelore të njeriut dhe se rregullimi i dokumentacionit pronësor mundëson qasje më të lehtë në mbështetjen institucionale.
Në këtë kontekst, Kurti ka bërë të ditur se, në kuadër të projektit për banim social adekuat, janë ndarë 37 milionë euro për 773 njësi banimi në 21 komuna. Sipas tij, institucionet po vazhdojnë edhe programet për rindërtimin dhe renovimin e shtëpive për familjet në nevojë dhe personat që kthehen në pronat e tyre.
Projekti PIAKOS synon të ndihmojë qytetarët në realizimin e të drejtave pronësore, me fokus të veçantë te mbështetja për gratë dhe lehtësimi i procedurave për regjistrimin e pronave.
Marrëveshja e 2 shtatorit 2011 kishte për qëllim kthimin e dokumentacionit kadastral të Kosovës, të cilin Serbia e kishte marrë gjatë luftës. Megjithatë, mosdorëzimi i dokumenteve vazhdon të mbetet një çështje e pazgjidhur në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Konjufca: Sulmet në Banjskë dhe Ibër-Lepenc treguan kërcënimet ndaj sigurisë së Kosovës
Kuçi: Fushata elektorale në Serbi po normalizon ambientin politik armiqësor ndaj Kosovës
BE-ja miraton sanksione të reja ndaj Rusisë
Kurti: Partneriteti strategjik me SHBA-në mbetet prioritet i Kosovës
Lista Serbe merret me fushatën zgjedhore në Serbi, ndërsa projektet kapitale në veri presin
Vuçiq dhe Radoiçiq në të njëjtën skenë politike, fotografia e lidhjeve mes pushtetit dhe krimit
Dokumentacioni kadastral mbetet i pakthyer, Kurti: Serbia nuk e respektoi marrëveshjen
Prania ushtarake e Serbisë pranë Kosovës, mes rrezikut dhe paralajmërimeve