Prishtinë, 14 korrik 2026 20:27
Qeveria e Kosovës ka reaguar pas deklaratës së ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snezhana Paunoviq, e cila ka thënë se, nëse do të kishte qenë në pozitën e ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq gjatë vitit 1998, do të kishte kryer spastrim etnik në Kosovë.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka, ka thënë se problemi kryesor, sipas tij, është fakti se Serbia nuk është distancuar nga politikat e regjimit të Millosheviqit.
“Për më tepër, vetë Presidenti i këtij shteti ka qenë ministër i tij, ndërkohë që hiç më të mira nuk janë as deklarimet e as sjelljet e tij karshi Republikës së Kosovës. Në këtë atmosferë janë edhe deklarimet e tilla si kjo e fundit e ministres, që tha se po të ishte në pozitën e Millosheviqit do ta spastronte etnikisht Kosovën”, ka shkruar Manxhuka.
Ai ka deklaruar se, edhe pas luftës në Kosovë, elitat politike në Serbi kanë vazhduar me të njëjtën mendësi, të përshtatur me rrethanat e reja.
“Ju e keni parë së fundmi kur Vuçiq, Presidenti i Serbisë, tha se Radojçiq nuk është kriminel, ndërkohë që ai ishte prijës i përpjekjes terroriste në shtator 2023 për aneksimin e veriut të vendit tonë. Ndërsa, për vite me radhë, shteti i Serbisë në Luginën e Preshevës po kryen spastrim etnik administrativ ndaj shqiptarëve”, ka shkruar Manxhuka.
Sipas tij, Kosova është e vetëdijshme për qasjen e Serbisë dhe ka kërkuar që deklaratat e tilla të merren parasysh edhe në raportet ndërkombëtare me Beogradin.
“Ne jemi shumë të vetëdijshëm se me kë kemi të bëjmë, ndërkohë është mirë që të gjithë, përveçse ta dënojnë këtë gjuhë, ta kenë në mendje kur flasin me Serbinë për integrim, reforma dhe fonde, si dhe ta kuptojmë që këto nuk janë thjesht deklarime, por aspirata nga të cilat shteti zyrtar i Serbisë nuk ka hequr dorë”, ka shkruar Manxhuka.
Deklarata e ministres serbe ka nxitur reagime edhe nga përfaqësues ndërkombëtarë, të cilët kanë kërkuar shmangien e retorikës nxitëse dhe respektimin e vlerave evropiane.

Shqipëria dënon deklaratën e ministres serbe për “spastrim etnik” në Kosovë
Kamberi kërkon shkarkimin e ministres serbe pas deklaratave për spastrim etnik të Kosovës
BE i reagon Paunoviqit: Deklaratë kundër vlerave njerëzore dhe fqinjësore
Shqipëria mbyll sot tre kapitujt e parë të negociatave me BE-në
Propaganda ruse më e dukshme në Serbi: Narrativat përhapen edhe në Kosovë
Hoti: Serbia ende nuk është çliruar nga ideologjia e Millosheviqit
Qeveria reagon ndaj deklaratës së ministres serbe për “spastrimin etnik”: Serbia nuk është distancuar nga politika e Millosheviqit
Prokuroria Speciale ndalon edhe dy të dyshuar për rastin “Pastrimi”
Haxhiu e dekreton Zejnulla Gashin Kryeprokuror të Shtetit