Prishtinë, 29 shtator 2026 08:09
Historia e Shtëpisë së Kulturës së Runikut, në Skenderaj, është bërë pjesë e një ekspozite në New York, përmes projektit të artistit bashkëkohor Petrit Halilaj.
Ekspozita, e titulluar “Biografia e një ndërtese: Shtëpia e Kulturës së Runikut”, po prezantohet në galerinë “Storefront for Art and Architecture”, duke sjellë rrëfime, materiale dhe kujtime nga historia e kësaj ndërtese dhe e komunitetit të Runikut.
Halilaj, i lindur në Runik, së bashku me fondacionin “Hajde”, të cilin e ka themeluar për restaurimin e Shtëpisë së Kulturës, ka prezantuar në New York materiale të lidhura me objektin dhe jetën kulturore të fshatit. Në ekspozitë janë përfshirë tulla të ndërtesës, materiale arkivore, skica, fotografi, objekte të përdorimit të përditshëm dhe dokumentime të ndërhyrjeve artistike në këtë hapësirë.
Një pjesë e rëndësishme e ekspozitës i kushtohet edhe Okarinës së Runikut, instrumentit frymor neolitik të zbuluar në këtë lokalitet. Bashkë me të, në Runik janë zbuluar edhe më shumë se një mijë artefakte të tjera, të cilat që nga viti 1999 ruhen në Beograd.
Shtëpia e Kulturës së Runikut paraqitet si një prej qendrave të rëndësishme të jetës shoqërore dhe kulturore të komunitetit shqiptar të këtij fshati. Në të zhvilloheshin shfaqje teatrale, koncerte, kremtime, takime publike dhe aktivitete të tjera të komunitetit.
Sipas materialeve të ekspozitës, veprimtaria e saj u kufizua gjatë fundit të viteve ’80 dhe fillimit të viteve ’90, ndërsa objekti u dëmtua gjatë luftës së Kosovës. Shenjat e plumbave ende janë të dukshme në fasadën e ndërtesës, ndërsa brendësia e saj me kalimin e kohës ka pësuar dëmtime dhe ka mbetur në gjendje të rënduar.
Për Halilajn, rikthimi i kulturës në Runik dhe në Drenicë është një mision personal dhe kolektiv. Ai synon që Shtëpia e Kulturës të shndërrohet sërish në hapësirë ku arti, kujtesa, edukimi dhe komuniteti mund të takohen.
Procesi i restaurimit të objektit tashmë ka avancuar deri në fazën e tenderimit për punëkryes. Projekti është zhvilluar përmes një konkursi ndërkombëtar të arkitekturës, ndërsa punën e ka realizuar “Ars Atelie”.
Ekspozita në New York do të ketë edhe një pjesë të dytë në Runik. Më 6 tetor, Petrit Halilaj pritet të jetë në vendlindjen e tij, ku do të prezantohet pjesa tjetër e ekspozitës dhe do të inaugurohet edhe “Welcoming Center”, qendra e mirëseardhjes.
Kështu, historia e një ndërtese të vogël kulturore nga Runiku po merr një dimension ndërkombëtar, duke lidhur kujtesën lokale të fshatit me skenën artistike të New Yorkut.

Krenaria shqiptare me prejardhje nga Kosova, Dua Lipa kryeson Coachella-n
Arkivat e Kosovës dhe Shqipërisë ruajnë dokumente shekullore, theksohet rëndësia e digjitalizimit
Poezia shqipe në gjuhën gjermane, urë lidhëse mes kulturave
Kosova përfaqësohet në takimin evropian të rrjeteve të ansambleve muzikore në Itali
Ministria e Kulturës ndan afro 200 mijë euro për restaurimin e Përmendores së Minatorëve në Mitrovicë
Troja Bicurri triumfon në “Akordet e Kosovës”, vlerësim për brezin e ri
Pasuria e pajustifikueshme në verifikim, hyn në fuqi ligji për Byronë
Milan Radoiçiq është larguar drejt Rusisë
20 lokacione të hulumtuara në Kosovë, mbi 1 mijë e 500 të zhdukur nga lufta
Kosova forcon bashkëpunimin juridik me Suedinë dhe Belgjikën