Prishtinë, 13 tetor 2026 09:14
Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka folur në Pragë për sfidat e sigurisë me të cilat është përballur Kosova, duke veçuar sulmin terrorist në Banjskë dhe sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit.
Konjufca mori pjesë në edicionin e 30-të të Forumit 2000, ku ishte pjesë e panelit “Bridging the Divide – Crafting a Transatlantic Roadmap for Tech & Economic Security”. Diskutimi u përqendrua në rëndësinë e bashkëpunimit transatlantik për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë fjalës së tij, Konjufca e paraqiti Kosovën si dëshmi konkrete të rezultateve të bashkëpunimit transatlantik, duke theksuar përparimin e vendit nga pasojat e luftës drejt konsolidimit si demokraci.
Ai tha se ky përparim është mbështetur në qëndrueshmërinë e institucioneve të Kosovës dhe në partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Duke iu referuar sulmit të 24 shtatorit 2023 në Banjskë dhe sulmit ndaj infrastrukturës kritike në kanalin e Ibër-Lepencit, Konjufca theksoi se këto ngjarje dëshmojnë për ekzistencën e kërcënimeve serioze dhe përpjekjeve për destabilizimin e Kosovës.
Megjithatë, sipas tij, institucionet e Kosovës kanë treguar vendosmëri dhe kapacitet për t’u përballur me këto sfida dhe për të mbrojtur sigurinë e vendit, me mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve transatlantikë.
Në përfundim, Konjufca theksoi se përvoja e Kosovës tregon rëndësinë e unitetit transatlantik dhe të ruajtjes së këtij partneriteti për sigurinë dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.

Kuçi: Fushata elektorale në Serbi po normalizon ambientin politik armiqësor ndaj Kosovës
BE-ja miraton sanksione të reja ndaj Rusisë
Kurti: Partneriteti strategjik me SHBA-në mbetet prioritet i Kosovës
Lista Serbe merret me fushatën zgjedhore në Serbi, ndërsa projektet kapitale në veri presin
Vuçiq dhe Radoiçiq në të njëjtën skenë politike, fotografia e lidhjeve mes pushtetit dhe krimit
Roth: Serbia e gjorë, pretendimet ndaj një fqinji e çojnë drejt luftës, jo BE-së
Kosovës i shtohen 13 objekte në listën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore