Prishtinë, 29 shtator 2026 07:05
Festivali i Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës do të rikthehet këtë vit me emrin “Akordet e Kosovës”, ndërsa edicioni i katërt do të sjellë edhe një format të ri me përfshirjen e një nate të veçantë për fëmijë.
Festivali do të mbahet më 30 dhe 31 tetor në Sallën e Sporteve “1 Tetori” në Prishtinë, ndërsa më 1 nëntor do të zhvillohet për herë të parë Festivali i Këngës për Fëmijë. Pas tri edicioneve të mbajtura në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, këtë vit festivali zhvendoset në një hapësirë tjetër.
Për garën e të rriturve janë përzgjedhur 20 këngë, ndërsa për natën e fëmijëve 15 këngë. Sipas drejtorit artistik të Festivalit të Këngës në RTK, kompozitorit Florent Boshnjaku, këtë vit janë pranuar mbi 50 aplikime.
Për herë të parë pjesë e festivalit do të jenë edhe 15 fëmijë, të cilët do të interpretojnë këngë të krijuara posaçërisht për ta. Mes tyre janë Afrina Macula, Afroma Thaqi, Androna Thaqi, Alika Ajeti, Blin Tufa, Kenza Pllana, Luana Duli, Marin Kerri, Nuar Llapashtica, Rrita Krasniqi, Shega Krasniqi, Kanarinë Kovanxhiu, Mia Muçaj, Aelia Berisha, Aksa Sylejmani dhe Dalina Haxhiu.
Boshnjaku ka thënë se interesimi për festivalin është rritur nga viti në vit, ndërsa këtë edicion është vërejtur edhe rritje e aplikimeve nga artistë jashtë Kosovës, veçanërisht nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Sipas tij, rikthimi i emrit “Akordet e Kosovës” mund të ketë ndikuar në interesimin e artistëve, por ai thekson se rëndësi të madhe ka pasur edhe puna e bërë gjatë tri edicioneve të mëparshme.
Nata e fëmijëve, përveç krijimit të një hapësire profesionale për talentet e reja, lidhet edhe me një synim afatgjatë të organizatorëve. Boshnjaku ka deklaruar se, në rast të anëtarësimit të Kosovës në “Eurovision”, synohet që kjo rrugë të mundësojë edhe pjesëmarrjen e Kosovës në “Junior Eurovision”.
Festivali do t’u ofrojë fëmijëve mundësinë të performojnë drejtpërdrejt, të shoqëruar nga orkestër, duke krijuar përvojë profesionale në një skenë televizive.
Në edicionin e kaluar, çmimi kryesor i Festivalit të Këngës në RTK iu dha Arsi Bakos për këngën “Rreze zjarr”.

Krenaria shqiptare me prejardhje nga Kosova, Dua Lipa kryeson Coachella-n
Arkivat e Kosovës dhe Shqipërisë ruajnë dokumente shekullore, theksohet rëndësia e digjitalizimit
Poezia shqipe në gjuhën gjermane, urë lidhëse mes kulturave
Kosova përfaqësohet në takimin evropian të rrjeteve të ansambleve muzikore në Itali
Ministria e Kulturës ndan afro 200 mijë euro për restaurimin e Përmendores së Minatorëve në Mitrovicë
Troja Bicurri triumfon në “Akordet e Kosovës”, vlerësim për brezin e ri
Lutfi Dalipi zgjedh Kosovën, mbërrin sonte në Prishtinë
Gjenden mbetje mortore në fshatin Brod të Shtërpcës, pritet identifikimi përmes ADN-së
Ndryshimi i pushtetit në Serbi kërcënon privilegjet e Listës Serbe, por jo domosdoshmerisht strukturat ilegale ne Kosovë
Sveçla: 782 milionë euro shpenzime për Policinë, 189 milionë për pajisje dhe armatim