Prishtinë, 13 korrik 2026 08:08
Katër shtetas të Kosovës janë përballur me procedura penale në Serbi që nga viti 2025 nën akuza për krime lufte, nxitje të urrejtjes dhe cenim të rendit kushtetues të Serbisë. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i cilëson këto raste si të pabazuara ligjërisht dhe me prapavijë politike, ndërsa u bën thirrje qytetarëve që të shmangin udhëtimin përmes Serbisë.
Në katër raste janë iniciuar procedura penale ndaj shtetasve të Kosovës që nga viti 2025, kanë bërë të ditur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, sipas së cilës, rastet lidhen me akuza për krime lufte, nxitje të urrejtjes dhe cenim të rendit kushtetues të Serbisë.
Për rastin e fundit të arrestimit në Serbi të kosovarit Osman Selmani, i cili u ndalua në pikën kufitare në Mutivodë, Ministria thotë se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka informuar vendet e QUINT-it dhe ka kërkuar ndikimin e tyre tek autoritetet serbe.
Raste të ngjashme kanë ndodhur edhe në fillim të vitit 2026.
Në shkurt, personi me inicialet M.LL. u arrestua në kufirin Kroaci–Serbi, ndërsa u lirua në muajin prill.
MPJD-ja këto arrestime i ka vlerësuar si të pabazuara ligjërisht dhe me prapavijë politike, duke u bërë thirrje qytetarëve që të shmangin kalimin përmes Serbisë.
“MPJD-ja vazhdimisht u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës, përfshirë bashkatdhetarët tanë që jetojnë në mërgatë dhe planifikojnë të udhëtojnë drejt Kosovës, që të përdorin rrugë alternative dhe të shmangin kalimin përmes Serbisë, duke pasur parasysh rastet e përsëritura të ndalimeve dhe arrestimeve të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga autoritetet serbe”, thuhet në reagimin e MPJD-së.
Edhe avokati Arianit Koci, i cili është marrë drejtpërdrejt me raste të tilla, u ka bërë thirrje qytetarëve të kenë kujdes edhe me postimet në rrjetet sociale.
Ai përmend rastin e Avdi Memçajt, i cili, sipas tij, ndodhet në paraburgim tash e dy muaj vetëm për shkak të komunikimeve në rrjetet sociale.
“Kisha ba një apel që me pas kujdes në rrjete sociale si po shprehen, për shkak se e keni rastin e Avdi Memçajt, i cili veç për komunikim përmes rrjeteve sociale Serbia e ka ndalë. Më 20 maj dhe gati më shumë se dy muaj është në burg. Pra, asnjë veprim tjetër nuk e ka ba”, ka thënë Koci.
Koci ka dhënë edhe disa këshilla se si duhet të sillen qytetarët në rast se ndalohen nga autoritetet serbe.
“Duhet me iu bind urdhrave të policisë, për shkak se ata munden me marrë masa radikale. E dyta, me tentu m’u sjell sa më mirë edhe me raportu rastin. Telefonat, policia kohëve të fundit po kërkon me i hap. Telefonin askush nuk ka të drejtë me ta hapë pa urdhër të gjykatës. Ata po i kushtëzojnë, po iu thonë: ‘Na tash të marrim, të arrestojmë, të majmë një muaj ditë në Beograd, ma mirë hape nëse s’ke kurgjo, ta shohim çka ka’. Janë në mënyrë eksplicite duke kërkuar nëse ka ndonjë shenjë të UÇK-së, pasi për ta ajo është organizatë terroriste. Çdo rast që po më raportohet po e identifikoj personin, por në mënyrë të pavarur nuk mundem me i vërtetu pretendimet e tyre, nuk kam mekanizma”, ka deklaruar ai.

Apeli anulon aktgjykimin lirues ndaj Gavrilo Millosavleviqit, rasti për Masakrën e Dubravës kthehet në rigjykim
Mbi 300 mijë turistë brenda 5 muajve, vendet fqinje po keqinformojnë për sigurinë në Kosovë
Shoqata e Qumështit: Masat në sektor kanë nisur të japin rezultate
Ish-krerëve të UÇK-së u vazhdohet paraburgimi, përkundër caktimit të datës së aktgjykimit
Haxhiu për Srebrenicën: Mohimi i gjenocidit nuk mund të ketë vend
Kurti në Kongresin e BSPK-së: Paga minimale është rritur në 500 euro, po forcojmë mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve
Vdes gazetari serb Stefan Cvetkoviq, që hetoi vrasjen e Ivanoviqit – kishte denoncuar kërcënime ndaj vëllezërve Vuçiq
MPJD-ja u bën thirrje qytetarëve që të shmangin udhëtimin përmes Serbisë
Beshlin: Rusia nuk do të ketë fuqi të merret me Ballkanin në dekadat e ardhshme
Kontingjenti i dytë i FSK-së i bashkohet misionit paqeruajtës në Gaza