Prishtinë, 12 korrik 2026 10:16
Drejtori i Institutit OCTOPUS, Arben Fetoshi, vlerëson se reagimet e autoriteteve dhe diskursit politik në Serbi ndaj vizitës së Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, në Luginën e Preshevës, janë pjesë e një strategjie të komunikimit që synon relativizimin e projektit të ashtuquajtur “Bota Serbe”.
Në një analizë të publikuar me titull “Pasqyra e ‘Botës Serbe’”, Fetoshi thotë se paraqitja e vizitës së Begajt si dëshmi e një projekti të “Botës Shqiptare” nuk është rastësore, por, sipas tij, synon të krijojë një “simetri të rreme” mes politikave të Serbisë dhe mbështetjes së Shqipërisë për shqiptarët në Luginën e Preshevës, përcjell VeritasaInfo.
Ai thekson se narrativat që flasin për “Shqipërinë e Madhe” apo pretendimet se pas Kosovës do të pasojnë rajone të tjera të Serbisë, përdoren, sipas tij, për të larguar vëmendjen nga çështjet që prekin shqiptarët në Luginë, përfshirë diskriminimin dhe pasivizimin e adresave.
Fetoshi argumenton se mesazhet e Presidentit Begaj gjatë vizitës në Panairin e Librit dhe në takimet me përfaqësuesit lokalë kishin të bënin me mbështetjen për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, por se, sipas tij, ato u interpretuan nga Serbia si kërcënim ndaj sovranitetit të saj.
Sipas drejtorit të Institutit OCTOPUS, kjo qasje përbën atë që ai e quan “propagandë e pasqyrës”, ku një shtet i atribuon palës tjetër qëllimet që, sipas tij, i ndjek vetë.
Në analizën e tij, Fetoshi pohon gjithashtu se “Bota Serbe” përfaqëson një projekt me synime rajonale, ndërsa mbështetja e Shqipërisë për shqiptarët në Luginën e Preshevës, sipas tij, kufizohet në mbrojtjen e të drejtave të tyre, si përfaqësimi institucional, përdorimi i gjuhës shqipe, arsimi dhe kultura.
Ai rikujton se organizata dhe institucione ndërkombëtare, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës dhe OSBE-në, kanë ngritur vazhdimisht shqetësime për pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe u kanë bërë thirrje autoriteteve serbe të adresojnë praktikat diskriminuese.
Në përfundim, Fetoshi vlerëson se reagimet ndaj vizitës së Presidentit Begaj synojnë njëkohësisht relativizimin e projektit të “Botës Serbe” dhe zhvendosjen e vëmendjes nga diskriminimi ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Organizatori i sulmit terrorist në Banjskë, Radoiçiq, pranë djalit të Vuçiqit në tubimin parazgjedhor të SNS-së në Kragujevc
Alarm për diasporën shqiptare: Vuçiq po përgatit pengesa për votuesit
Policia e Kosovës: Fushatat zgjedhore të Serbisë nuk lejohen në Kosovë
Zgjedhjet në Serbi, Janjiq: Ndikimi rus është jashtëzakonisht i madh
Kamberi i përgjigjet Vuçiqit: “Çfarë të pengon te shqiptarët e bashkuar?”
Zgjedhjet nën llupë: Iniciativat Qytetare në Serbi ngrenë pikëpyetje për fushatën dhe faljet e Vuçiqit
Industria e mbrojtjes në Kosovë: Parashihet prodhimi i municioneve, dronëve e blindave
Gjykimi për spiunazh, Prokuroria: Shabani tentoi ta lidhte spitalin e UÇK-së në Mollopolc me “Shtëpinë e Verdhë”