Prishtinë, 10 korrik 2026 06:52
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar zbardhjen e plotë të vrasjes së vëllezërve Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqi, duke theksuar se drejtësia për ta mbetet obligim i Republikës së Kosovës dhe i bashkësisë ndërkombëtare.
Në tubimin përkujtimor të mbajtur në ndërtesën e Qeverisë, me rastin e 27-vjetorit të vrasjes së tre vëllezërve Bytyqi, Kurti tha se historia e tyre përfaqëson atdhedashurinë, sakrificën dhe përkushtimin për lirinë e Kosovës.
Ai rikujtoi se Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqi, qytetarë amerikanë me prejardhje nga Kosova, iu bashkuan njësitit vullnetar “Atlantiku” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe morën pjesë në luftën çlirimtare kundër regjimit serb.
Sipas Kurtit, më 23 qershor 1999, tre vëllezërit po ndihmonin një familje rome të largohej nga Kosova drejt Serbisë, kur u arrestuan nga policia serbe.
Pas përfundimit të një dënimi prej 15 ditësh burg, ata nuk u liruan, por u ekzekutuan. Trupat e tyre u gjetën në vitin 2001 në varrezën masive të Petrovo Sellos në Serbi.
“Vëllezërit Bytyqi janë dëshmi e qartë e krimeve të Serbisë ndaj shqiptarëve dhe njëkohësisht e mungesës së vullnetit të saj për të dhënë përgjegjësi për këto krime”, deklaroi Kurti.
Ai shtoi se kalimi i kohës nuk e zvogëlon përgjegjësinë për vendosjen e drejtësisë.
“Kalimi i kohës nuk e zbeh detyrimin për drejtësi, por e bën edhe më të rëndë barrën e pandëshkueshmërisë”, tha ai.
Kurti theksoi se Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë të bashkuara në kërkesën që autorët dhe urdhërdhënësit e vrasjes të dalin para drejtësisë.
Ai falënderoi SHBA-në për angazhimin e vazhdueshëm në këtë çështje, duke përmendur edhe rezolutat e miratuara nga Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit Amerikan në vitet 2019 dhe 2022, të cilat i kërkojnë Serbisë bashkëpunim për zbardhjen e rastit.
Në përfundim të fjalës së tij, kryeministri në detyrë ritheksoi përkushtimin institucional për të kërkuar drejtësi.
“Do të vazhdojmë të angazhohemi për të arritur drejtësi për ta, deri në fund. Përveçse duhet të përparojë kombi ynë dhe Republika jonë, duhet të vihet deri në fund edhe drejtësia për ta”, u shpreh Kurti.
Rasti i vëllezërve Bytyqi mbetet një nga rastet më të njohura të krimeve të luftës pas përfundimit të konfliktit në Kosovë, ndërsa autorët dhe urdhërdhënësit e ekzekutimit të tyre ende nuk janë nxjerrë para drejtësisë.

Prokuroria ngre aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit për spiunazh e shantazh Fatmir Sheholli
Kurti: Shtrirja e sovranitetit në veri ndihmoi në zbulimin e mbetjeve mortore
Mbi 1,600 të pagjetur në Kosovë, Serbia ende pa dhënë përgjigje për fatin e tyre
Ambasada Britanike për të zhdukurit e luftës: Mbështesim përpjekjet për të gjetur përgjigje pas vitesh pasigurie
Kurti: 23 mbetjet mortore në Zubin-Potok përkojnë me “grupin e intelektualëve”
Haxhiu takohet me gazetarët ukrainas në Kosovë
“Agjenturat serbe kanë rritur aktivitetin”/Eksperti i sigurisë kërkon fokus të shtuar në brezin kufitar
Mbyllet përkohësisht Kalaja e Prizrenit për vizitorët
Kurti: Qëndrimi i Ukrainës për Kosovën nuk qëndron përballë fakteve