Prishtinë, 9 korrik 2026 08:15
Universiteti i Prishtinës ka regjistruar rreth 1 mijë aplikime më shumë për studime bachelor krahasuar me vitin e kaluar. Më shumë se 7 mijë kandidatë kanë konkurruar për mbi 5 mijë e 600 vende. Interes më të madh maturantët kanë shfaqur për programet e Mjekësisë dhe atë për Inxhinieri Kompjuterike e Softuerike. E pak interesim është shfaqur sërish për programet e shkencave matematike-natyrore dhe programet e Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë.
Rreth një mijë aplikime më shumë për regjistrim në programet studimore ka pranuar këtë vit Universiteti i Prishtinës krahasuar me vitin e kaluar.
Interesimin më të madh maturantët e kanë shfaqur për programet e Mjekësisë, ku për një vend të lirë studimi në këtë njësi akademike, kanë aplikuar pesë maturantë. Edhe Inxhinieria Kompjuterike dhe Softuerike ka zgjuar interesimin e të rinjve.
Prorektorja për Zhvillim Institucional, Cilësi dhe Çështje Studentore, Majlinda Gjelaj, ka bërë të ditur se vetëm Fakulteti i Mjekësisë ka pranuar mbi 2 mijë e 100 aplikime, për 462 vende të lira.
Në studimet bachelor ne do të pranojmë mbi 5,600 studentë, ndërkaq këtë vit vërehet një rritje më e madhe se vitin e kaluar e aplikimeve nga maturantët të cilët këtë vit kanë aplikuar rreth 7,100 aplikantë në studime bachelor. Sikurse edhe vitet e kaluara, interesimi më i madh ka qenë në Universitetin e Prishtinës, vazhdon të jetë interesimi për me studiu në Fakultetin e Mjekësisë, konkretisht në këtë njësi akademike kanë aplikuar mbi 2.100 aplikantë, të cilët synojnë të bëhet profesionist të shëndetit”, ka thënë prorektorja Gjelaj.
Sipas saj, pak interesim është shfaqur për programet e Bujqësisë dhe Veterinarisë, si dhe për disa programe në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore.
“Vërehet një rënie e interesimit për të studiuar në programet e Bujqësisë dhe Veterinarisë. Ne jemi duke punuar përmes disa mekanizmave të brendshëm të cilësisë që të bëjmë reformim të programeve, të cilat nuk janë me shumë interes për të rinjtë në kohën e sotme, përkundër faktit që tregu i punës ka nevojë të madhe të kemi veterinar dhe agronom të kualifikuar në UP”, ka thënë prorektorja Gjelaj. “Është një rënie e interesimit në nivel botëror për të studiuar në shkencat natyrore. Për numrin e pozitave që ne kemi shpallur duket se ka aplikime mjaftueshëm për t’u bërë grupet e nevojshme, sipas rregullores së UP-së”.
Por njohësi i arsimit, Ismet Potera, vlerëson se mungesa e interesimit për shkencat natyrore lidhet edhe me mënyrën se si ato mësohen në shkolla.
“Vetë testi i maturës dhe ai i arritshmerisë po tregojnë që pikërisht në këto lënde është rezultati jo i kënaqshëm. Kështu që kjo ndërlidhet ndoshta edhe me këtë se si ne i mësojmë këto shkenca dhe si u qasemi këtyre shkencave në shkollë. Këtu duhet të mendohet më thellësisht se a vërtet janë këto shkenca aq të vështira për t’u përvetësuar apo duhet të bëhen ndryshime në qasjen e mësimdhënësve apo në programet e fakultetit. Është pak paradoksale se si këto lënde janë më pak të pëlqyera nga nxënësit ndërsa në vendet tjera janë lëndët me më së shumti perspektivë”, ka thënë Potera.

Rizvanolli e Karakaç diskutojnë projektin e termocentralit të Vlorës me gaz të lëngëzuar nga ShBA
Reagimi diplomatik dhe qytetar jep rezultat, korrigjohet paraqitja e Kosovës në reklamën e Air Serbia
Agjencia për Menaxhim të Monumenteve reagon pas dëmtimit në Kompleksin “Zahir Pajaziti”
Kurti e komandanti i KFOR-it shqyrtojnë mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit
Ministria e Infrastrukturës paralajmëron investime të reja në veri, planifikohet zgjerimi i rrugës Mitrovicë–Jarinjë
27-vite nga vrasja e vëllezërve Bytyqi, kërkohet përgjegjësi për krimin
Sonte përballje shqiptare në Ligën e Konferencës
Mbi 2 mijë maturantë në garë për 462 vende në Mjekësi
Në Leposaviq dhe Vushtrri gjenden armë, municion dhe një flamur me mbishkrimin “Kosovo je Serbia”
Ballkani barazon në Uells, kualifikimi vendoset në Kosovë