Prishtinë, 8 korrik 2026 09:11
Presionet politike dhe kërcënimet me humbjen e vendit të punës ndaj punonjësve të sektorit publik në komunat e udhëhequra nga Lista Serbe po vazhdojnë të ngjallin shqetësime për gjendjen e demokracisë dhe lirisë së shprehjes brenda komunitetit serb në Kosovë. Sipas raportimeve, të punësuarit që shfaqin qëndrime politike ndryshe nga ato të Listës Serbe ose mbështesin subjekte të tjera politike përballen me presione dhe frikësime, duke krijuar një klimë ku bindjet politike mund të kushtëzojnë sigurinë në vendin e punës.
Politologu Albinot Maloku vlerëson se ky fenomen është karakteristik për mjediset ku demokracia është e brishtë dhe ku liria e mendimit shihet si kërcënim. Sipas tij, Lista Serbe, e cila është e regjistruar si subjekt politik në Kosovë dhe gëzon mbështetjen e partisë në pushtet në Serbi, ka arritur të imponojë ndikimin e saj brenda komunitetit serb, duke ushtruar presion edhe ndaj shërbyesve civilë në komunat ku ka peshë politike.
“Kemi të bëjmë me fenomenin e mungesës së demokracisë brenda korpusit politik serb në Kosovë”, thotë Maloku, për VeritasInfo, duke shtuar se partitë që krijojnë monopol politik e vendosin veten në qendër të jetës publike dhe e identifikojnë veten si mbrojtëset e vetme të interesit kombëtar.
Sipas tij, presioni politik ndaj administratës publike prodhon pasoja të drejtpërdrejta në funksionimin e institucioneve, pasi zbeh profesionalizmin dhe i shtyn nëpunësit civilë të hezitojnë të raportojnë parregullsi ose shkelje nga frika e pasojave politike. Ai thekson se gjendja e rënduar ekonomike, nepotizmi politik dhe mungesa e meritokracisë i bëjnë punonjësit edhe më të varur nga strukturat politike, duke e bërë shumë më të vështirë shprehjen e pakënaqësive ose angazhimin në alternativa të tjera politike.
Maloku konsideron se institucionet e Kosovës duhet të japin shembull përmes forcimit të meritokracisë, luftimit të nepotizmit dhe garantimit të zbatimit të barabartë të ligjeve të punës në të gjitha komunat. Ai kërkon mekanizma më të fortë për mbrojtjen e punëtorëve nga presionet politike, si dhe hetim të pavarur të çdo pretendimi për diskriminim. Sipas tij, partnerët ndërkombëtarë mund të luajnë rol të rëndësishëm përmes monitorimit të respektimit të të drejtave të njeriut dhe mbështetjes së institucioneve në këtë proces.
Politologu shton se Kosova duhet të ofrojë më shumë mundësi ekonomike për qytetarët serbë, në mënyrë që varësia e tyre nga strukturat politike të zvogëlohet. Ai vlerëson se një mbështetje më e madhe institucionale dhe ekonomike mund të krijojë hapësirë për demokratizimin e skenës politike serbe në Kosovë dhe për forcimin e pluralizmit politik.
Kurse njohësi i zhvillimeve politike Branislav Kerstiq, i pyetur nga VeritasInfo, lidhur me presionin e Listës Serbe ndaj të punësuarve në komunat ku udhëheq kjo listë, e të cilët nuk janë në një linjë politike me Listën Serbe, thotë se çdo pretendim për presion politik ndaj të punësuarve duhet të trajtohet me seriozitet, por edhe të mbështetet në prova të verifikueshme.
“Situata në komunat me shumicë serbe duhet të analizohet duke pasur parasysh kontekstin specifik në Kosovë”, thotë ai, duke kujtuar se prej vitesh funksionojnë paralelisht sistemi institucional i Kosovës dhe ai i Serbisë, gjë që, sipas tij, krijon një mjedis të ndërlikuar politik dhe administrativ.
Sipas Kerstiqit, është përgjegjësi e institucioneve kompetente të përcaktojnë nëse bëhet fjalë për raste të izoluara apo për një praktikë më të gjerë të ushtrimit të presionit politik. Ai nënvizon se “nëse një punonjës përballet me pasoja për shkak të bindjeve të tij politike, kjo është e papranueshme, pavarësisht se në cilin sistem institucional është i punësuar”.
Ai paralajmëron se një klimë e tillë, nëse konfirmohet, “dëmton profesionalizmin e administratës publike, ul besimin e qytetarëve në institucione dhe dekurajon pluralizmin politik brenda komunitetit serb”. Për këtë arsye, Kerstiq kërkon që çdo ankesë për presion apo diskriminim të trajtohet në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me ligjin.
Vetëm pak ditë më parë pati reagime nga disa serbë të punësuar në sektorin publik në komunat e veriut dhe në Kllokot, të cilët haptas deklaruan se janë viktima të kërcënimeve me largime nga puna nga udhëheqësit komunalë, për shkak të bindjeve politike kundrejt asaj të Listës Serbe.
Presionet politike në komunat e udhëhequra nga Lista Serbe vazhdon të ngrejë pikëpyetje mbi respektimin e lirive themelore dhe standardeve demokratike. Ndërsa analistët kërkojnë hetime të pavarura dhe mbrojtje efektive për punonjësit e sektorit publik, mbetet përgjegjësi e institucioneve që çdo akuzë për kërcënim, diskriminim apo ndëshkim për bindje politike të hetohet dhe të trajtohet në përputhje me ligjin, në mënyrë që administrata publike të funksionojë e lirë nga ndikimet partiake dhe qytetarëve t’u garantohet e drejta për pluralizëm politik në vendbanimet ku jeton komuniteti serb.

Dokumentari që përplas narrativën zyrtare të Beogradit: Luftërat i kemi humbur, duhet pranuar realitetin e Kosovës së pavarur
Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, temë kryesore e takimit Konjufca–Terras
Miliona nga Serbia për të akuzuarin për sulmin në Banjskë
Arbitraritet dhe torturë e re e Listës Serbe në Kllokot – Kundërshtarëve të Listës Serbe u ndalen pagat
Veselinoviq dhe Radojçiq ruhen nga personat që në fakt do duhej të arrestoheshin
Rashiq: Serbia ushtroi presion psikologjik e fizik ndaj serbëve të Kosovës për ta votuar Listën Serbe
Kërcënime për largim nga puna, analistët kërkojnë hetim të rolit të Listës Serbe
Rriten çmimet e naftës pas sulmeve të reja të SHBA’së ndaj Iranit dhe rivendosjes së sanksioneve
Amerika sulmon Iranin
KQZ-ja certifikon sot rezultatet përfundimtare