Prizren, 4 korrik 2026 19:30
Më shumë se 27 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, familjet e personave të zhdukur vazhdojnë të jetojnë mes dhimbjes dhe pritjes, pa marrë përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre.
Kjo çështje u vu në qendër të një aktiviteti të organizuar nga BIRN Kosova në Prizren, ku përmes rrëfimeve të familjarëve u rikthyen në vëmendje plagët e hapura të luftës dhe kërkesa e pandërprerë për drejtësi e zbardhjen e së vërtetës.
Ngjarja u mbajt në sallën e universitetit që mban emrin e Ukshin Hotit, një prej figurave më të rëndësishme të rezistencës shqiptare, i cili vazhdon të figurojë në listën e personave të zhdukur. Simbolika e vendit i dha një peshë të veçantë mesazhit se mijëra familje ende presin të dinë se çfarë ka ndodhur me të afërmit e tyre.
Rrëfimet e familjarëve nga rajoni i Prizrenit dëshmuan për vuajtjen, pritjen e gjatë dhe përpjekjet e vazhdueshme për të gjetur të vërtetën. Për ta, mungesa e informacionit nuk ka lejuar mbylljen e plagëve, ndërsa shpresa për të mësuar fatin e të afërmve mbetet ende e gjallë.
Rajoni i Prizrenit, së bashku me Suharekën, Dragashin dhe Mamushën, ishte ndër zonat që u goditën rëndë gjatë luftës, ku u regjistruan vrasje, masakra dhe zhdukje me forcë.
Sipas të dhënave të prezantuara gjatë aktivitetit, rreth 1.560 persona vazhdojnë të figurojnë të zhdukur nga lufta në Kosovë. Prej tyre, rreth 280 janë nga rajoni i Prizrenit, Suharekës, Dragashit dhe Mamushës. Për mijëra familje, mungesa e informacionit vazhdon të jetë një barrë e përditshme, ndërsa pasojat e krimeve të luftës ndihen edhe sot.
Pas prezantimit u zhvillua një debat publik me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve, shoqërisë civile dhe ekspertëve, të cilët diskutuan sfidat që vazhdojnë ta pengojnë procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur.
Në fokus të diskutimit ishin mungesa e bashkëpunimit ndërinstitucional, vështirësitë në sigurimin e informacioneve, procesi i identifikimit të mbetjeve mortore, nevoja për drejtësi për familjet e viktimave, si dhe rëndësia e dokumentimit dhe ruajtjes së kujtesës për krimet e luftës.
Gjatë diskutimit u ngrit edhe pyetja se sa po bëjnë institucionet për të zbardhur fatin e personave të zhdukur dhe nëse dëshmitë e mbledhura ndër vite mund të ndihmojnë në hapjen e hetimeve të reja për krimet e luftës.

Sukses në QKUK, mjekët largojnë tumorin 3.5 kilogramësh
Një muaj paraburgim për të dyshuarin për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës
Pagat dhe tregtia online, dy sinjale pozitive për ekonominë e Kosovës
Dyshohet se përfitoi 500 mijë euro nga diplomat e falsifikuara, arrestohet një person
Kosova kryeson Ballkanin Perëndimor për shpenzimet publike në arsim, Shqipëria e fundit
Murati: Buxheti për komunat në vitin 2027 do të tejkalojë 900 milionë euro
Abdixhiku: U dakorduam që të vijmë me emra konkretë në takimin e ardhshëm
Kurti: Pashë vullnetin e LDK-së që vendit t’i sjellim një president të ri