Prishtinë, 2 korrik 2026 15:10
Kompania InfraKos u ka bërë thirrje qytetarëve, operatorëve ekonomikë dhe të gjithë përdoruesve të rrugëve që kryqëzojnë hekurudhën të respektojnë rregullat e sigurisë, duke theksuar se në linjën hekurudhore Fushë Kosovë–Pejë janë instaluar laura automatike në vendkalimet hekurudhore.
Sipas njoftimit, këto pajisje funksionojnë përmes një sistemi automatik të sensorëve dhe kanë për qëllim garantimin e sigurisë së trafikut hekurudhor dhe atij rrugor.
InfraKos u ka bërë thirrje përdoruesve të rrugëve, operatorëve të makinerive punuese dhe palëve të tjera që gjatë zhvillimit të aktiviteteve të tyre të mos afrohen më pak se tre metra nga trupi i binarit, përveç rasteve kur janë të autorizuar dhe punimet kryhen në koordinim me autoritetet përgjegjëse.
Kompania thekson se respektimi i kësaj distance është i domosdoshëm për funksionimin e sigurt dhe të pandërprerë të sistemit automatik të vendkalimeve hekurudhore, si dhe për garantimin e sigurisë në komunikacion.
Po ashtu, InfraKos ka njoftuar se çdo shkelje e brezit të sigurisë pranë infrastrukturës hekurudhore do të monitorohet përmes sistemit të kamerave. Në rast të konstatimit të shkeljeve, sipas kompanisë, do të ndërmerren veprimet përkatëse në përputhje me legjislacionin në fuqi, përfshirë edhe raportimin e rasteve tek organet kompetente.
Në fund të njoftimit, InfraKos ka theksuar se siguria në hekurudhë është përgjegjësi e përbashkët dhe ka bërë thirrje për bashkëpunim e kujdes, me qëllim mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe zhvillimin e sigurt e të pandërprerë të trafikut hekurudhor.

Objekti i Qeverisë së Kosovës ndriçohet me flamurin e UÇK-së
Dëshmitari thotë se mori kërcënime nga Sheholli
1 tetori i protestave: Dikur rezistencë, sot thirrje për liri
Nis seanca ndaj Fatmir Shehollit, deklarohet i pafajshëm sërish
Hashim Thaçit i vazhdohet paraburgimi në rastin kundër administrimit të drejtësisë
Kurti: Askush nuk duhet të përballet e vetme me kancerin e gjirit
Kosova merr një pikë në udhëtim përballë Izraelit
Izraeli dhe Kosova e mbyllin pjesën e parë pa gola