Prishtinë, 22 maj 2026 07:15
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim virtual me kongresistët amerikanë Keith Self, Ritchie Torres, Mike Lawler dhe George Latimer, të cilët javë më parë paraqitën dy rezoluta të rëndësishme për Kosovën në Dhomën e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Krahas falënderimeve për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kryeministri në detyrë Kurti u shprehi atyre mirënjohje të thellë për Rezolutën nr. 1246, e cila mbështet aspiratat e Republikës së Kosovës për t’u bërë pjesë e Aleancës Veri-Atlantike, dhe Rezolutën nr. 1250, e cila bën thirrje që forcat amerikane të vazhdojnë të kontribuojnë në kuadër të KFOR-it.
Kryeministri në detyrë Kurti theksoi se qëndrimi i NATO-s në Kosovë dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO janë prioritete kyçe për Qeverinë, duke shtuar se ato janë thelbësore për sigurinë në rajon. Në këtë kontekst ai veçoi thirrjen e kongresistëve që katër shtetet jo-njohëse anëtare të aleancës që ta njohin Republikën e Kosovës, duke ia hapur derën vendit tonë që të anëtarësohet në NATO.
Duke theksuar se do të ishte një rritje e jashtëzakonshme e sigurisë rajonale, por edhe në interesin strategjik të SHBA-së dhe NATO-s, Kryeministri në detyrë Kurti e ritheksoi qëndrimin e Qeverisë së Kosovës, që Bondsteel të bëhet bazë e përhershme e ushtrisë amerikane.
Ai i informoi kongresistët se këtë javë Qeveria ka bërë hapin fillestar për krijimin e Xhandarmërisë, ndërsa theksoi se qëllimi i saj është të ndihmojë në përmbushjen e synimeve të sigurisë kombëtare, si p.sh. luftimi i kontrabandës dhe terrorizmit, e po ashtu ruajtja e infrastrukturës kritike. Kryeministri në detyrë Kurti theksoi se Xhandarmëria nuk është menduar si zëvendësim i KFOR-it, por si bashkëpunëtore e afërt me të.
Duke përmendur se Marrëveshja Kornizë për Bashkëpunim në Mbrojtje me Departamentin e Luftës të SHBA-së është në finalizim e sipër, Kryeministri në detyrë Kurti tha se bashkëpunimi në këtë fushë ndërmjet dy vendeve është më i fortë se kurrë.
Në fund të bisedës, Kryeministri në detyrë Kurti dhe katër kongresistët u dakorduan të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, në përputhje me vlerat e përbashkëta të Kosovës dhe SHBA-së.

Shiroka Pula dhe Jashari diskutojnë për sigurinë në Kosovë
29 kadetë të FSK-së nisin rrugëtimin ushtarak në Akademinë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë
Protesta vazhdon në Prishtinë, Policia raporton hedhje të mjeteve piroteknike
FSK e gatshme për situata komplekse operacionale dhe taktike
Gecaj: Tre vjet pas Banjskës, Kosova ka forcuar kapacitetet e sigurisë
FSK-ja rrit nivelin profesional, radhëve të saj i bashkohen oficerë të rinj të mjekësisë
Vëlla e motër, viktimat e krimit të sotëm në Gjilan
Dy të vrarë dhe një i plagosur në Livoç të Ulët, i dyshuari dorëzohet në Polici
Akuzat për spiunazh, Prokuroria: Shabani dhe Qerimi bashkëpunuan me BIA-n