Prishtinë, 24 nëntor 2026 07:34
Milan Radoiçiq, ndaj të cilit Gjykata e Lartë në Beograd ka lëshuar urdhërarrest, dyshohet se është larguar nga Serbia së bashku me biznesmenin Zvonko Veselinoviq dhe se të dy kanë udhëtuar drejt Kirgistanit.
Sipas raportiveme të mediave, që kanë cituar burime të njohura me lëvizjet e tyre, Radoiçiq dhe Veselinoviq kanë udhëtuar së bashku drejt këtij shteti të Azisë Qendrore.
Largimi i tyre i dyshuar vjen në një kohë kur autoritetet serbe janë në kërkim të Radoiçiqit, pasi ai nuk është paraqitur në stacionin policor më 15 nëntor, siç ishte i obliguar në kuadër të masës së paraqitjes së rregullt në polici.
Gjykata e Lartë në Beograd, më 17 nëntor, ka marrë vendim për caktimin e paraburgimit ndaj tij dhe ka urdhëruar lëshimin e fletarrestimit.
Zëdhënësja e kësaj gjykate, Ivona Çoguriq, ka bërë të ditur se masa është caktuar për shkak të rrethanave që tregojnë se Radoiçiq po fshihet, përkatësisht se është arratisur. Sipas vendimit, paraburgimi mund të zgjasë deri në 30 ditë nga momenti i arrestimit.
Radoiçiqit, që kishte marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, pas marrjes në pyetje në tetor të vitit 2023 lidhur me sulmin e armatosur në Banjskë, i ishte ndaluar largimi nga vendbanimi. Atij i ishte konfiskuar pasaporta dhe i ishte ndaluar largimi nga territori i Serbisë pa lejen e gjykatës. Po ashtu, ishte obliguar të paraqitej në polici çdo datë 1 dhe 15 të muajit.
Sipas informacioneve të Policisë së Savski Venacit, herën e fundit ai ishte paraqitur më 1 nëntor.
Ndërkohë, disa ditë para vendimit për fletarrestim, ish-inspektori i pavarur i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), Milan Zvezdanoviq, kishte deklaruar për televizionin N1 se kishte informacione jozyrtare nga strukturat e sigurisë se Radoiçiq ishte larguar nga Serbia dhe kishte shkuar në Moskë.
Veselinoviq ishte larguar më herët nga Bosnja
Në anën tjetër, Radio Evropa e Lirë kishte raportuar se Zvonko Veselinoviq ishte larguar nga Bosnja dhe Hercegovina më 11 nëntor, duke udhëtuar me një fluturim të rregullt nga Sarajeva drejt Stambollit.
Sipas burimeve të sigurisë në Bosnjë dhe Hercegovinë, Veselinoviq kishte udhëtuar me pasaportë serbe, së bashku me vëllain e tij, Zharko Veselinoviq.
Radoiçiq dhe Veselinoviq prej vitesh njihen si bashkëpunëtorë të afërt në biznes, ndërsa kompanitë e tyre janë përmendur në lidhje me kontrata të ndryshme që kanë marrë nga institucionet shtetërore në Serbi.
Të dy janë futur në listën e sanksioneve të Departamentit amerikan të Thesarit në fund të vitit 2021, nën akuza për lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Në arsyetimin e autoriteteve amerikane, Veselinoviq ishte cilësuar si udhëheqës i një grupi të organizuar kriminal, ndërsa Radoiçiq si zëvendësi i tij.
Këto janë vlerësime dhe akuza të autoriteteve amerikane dhe jo vendime të formës së prerë të gjykatave serbe.

Kosova shënon rekord, investimet e huaja kalojnë 1 miliard euro
Apeli ua konfirmon burgimin e përjetshëm Naim Murselit dhe Granit Plavës
Eksportet rriten për 35.3% krahasuar me vitin e kaluar
Kosova e para në botë për kujdes shëndetësor dhe rehabilitim në burgje, sipas vlerësimit të ICPA-së
Kamberi kërkon nga qeveria e re e Serbisë njohjen e diplomave të Kosovës
Kosova kalon në pagesa të shpejta, paratë do të transferohen 24/7
Radoiçiq dhe Veselinoviq dyshohet se janë arratisur së bashku në Kirgistan
Identiteti shqiptar prezantohet përmes kostumeve tradicionale në Kroaci
Mbi 1.700 familje presin përgjigje, Picula kërkon nga Serbia zbardhjen e fatit të të zhdukurve
“Millosheviqi ende në kokat e tyre”, Despot kritikon narrativat e Listës Studentore