Prishtinë, 21 maj 2026 19:22
NATO-ja do ta mbajë pezull thellimin e partneritetit me Serbinë nëse nuk ka llogaridhënie për sulmin në Banjskë. Kështu tha zëvendësndihmës-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Kevin Hamilton, në një takim me gazetarë në Prishtinë.
Hamilton njoftoi se këtë mesazh ua ka përcjellë edhe udhëheqësve shtetërorë në Beograd.
Përveç për Banjskën dhe kanalin e Ibër-Lepencit, zyrtari i NATO-s pret nga Serbia përgjegjësi dhe vendosje të drejtësisë edhe për lëndimin e mbi 90 pjesëtarëve të KFOR-it në protestën e 29 majit 2023 në Zveçan.
Ambasadori i NATO-s deklaroi po ashtu se fuqi të huaja qëllimkëqija, sikurse Rusia, po përdorin dezinformimin në dëm të sigurisë së Kosovës, derisa u bëri thirrje qytetarëve të kenë kujdes me atë që lexojnë.
“Ajo që mund të them është se ato incidente, sulmet ndaj personelit të KFOR-it, kanë qenë të papranueshme. Sapo kam ardhur nga Beogradi para se të arrija në Prishtinë, si dhe mesazhi ndaj autoriteteve serbe ka qenë që NATO-ja kërkon përgjegjësi, që drejtësia ndaj atyre që kanë kryer, organizuar sulme të tilla duhet të vihet në vend. Edhe pse NATO-ja dëshiron të ketë marrëdhënie më të thella, më transparente, pozitive me Serbinë, ka aspekte të caktuara të kësaj marrëdhënie që nuk mund të ecin më tutje derisa të ketë llogaridhënie për ato sulme. Ky është mesazhi që i kam dhënë bashkëbiseduesve të Serbisë, pra topi është në fushën e tyre në këtë drejtim. Fatkeqësisht, shohim aktorë të jashtëm, si dhe do ta përmend vetëm një të tillë, që është Rusia, që angazhohet në fushata dezinformimi, aktivitete hibride, jo vetëm këtu në Ballkanin Perëndimor, por shumë më gjerë në botë. Kjo është pjesë e manualit të punës së Rusisë, pra për të mbjellë përçarje, duke përfshirë këtu Ballkanin Perëndimor. Për këtë është shumë e rëndësishme që njerëzit këtu në Kosovë, por edhe në rajonin e gjerë të jenë vigjilentë. Sigurisht që jemi të vetëdijshëm që autoritetet në Kosovë e kanë këtë si aspiratë, si synim afatgjatë. NATO-ja funksionon mbi parimin e konsensusit, si dhe, si të them, mbase nuk jemi në disponimin e duhur për të pranuar anëtarë të rinj, megjithatë fokusi ynë për momentin dhe për të ardhmen e parashikueshme është që të mbajmë bashkëpunimin e mirë praktik në Kosovë, këtu në terren, si dhe të fokusohemi tek raportet reale midis Kosovës dhe NATO-s, në aspektin e përditshëm”, tha Hamilton.

“Agjenturat serbe kanë rritur aktivitetin”/Eksperti i sigurisë kërkon fokus të shtuar në brezin kufitar
Kurti: Nuk është në rregull që Radoiçiq është ende i lirë
Policia demanton pretendimet serbe: Asnjë armë nga Kosova nuk është përdorur për zjarrin në territorin e Serbisë
Njohësit e sigurisë: Narrativat serbo-ruse synojnë të frikësojnë serbët e Kosovës
Kosova dhe Shqipëria përfitueset e para nga fondi i ShBA-së
Shala: Institucionet e sigurisë kanë ndërtuar kapacitete të rëndësishme për përballjen me operacionet e inteligjencës së huaj
Kurti: Eqrem Kryeziu dha kontribut të madh për vendin
Amir Rrahmani pjesë e formacionit të javës në Serie A
Ndërron jetë Eqrem Kryeziu
Dita e gjashtë e Lojërave Mesdhetare, Kosova përfaqësohet në futboll, hendboll, volejboll, tenis e not