Prishtinë, 19 maj 2026 19:07
Në një debat të organizuar në Qendrën Mediale në Çagllavicë, qytetarë serbë kanë ngritur pretendime për largime nga puna të motivuara politikisht, duke i lidhur ato me mospërkrahjen e Listës Serbe para zgjedhjeve të 7 qershorit.
Debati, i titulluar “Pushimet nga puna dhe presionet politike para zgjedhjeve – fakte apo dezinformata”, mblodhi qytetarë, përfaqësues politikë dhe aktivistë, të cilët diskutuan për presionet politike dhe gjendjen e serbëve në Kosovë në prag të procesit zgjedhor.
Igor Jovanoviq deklaroi se bashkëshortja e tij kishte humbur angazhimet në tri shkolla.
Sipas tij, drejtorët e institucioneve arsimore i kishin thënë se vendimi kishte ardhur “nga lart”. Ai pretendoi gjithashtu se kishte marrë oferta për para dhe pozita politike në këmbim të bashkëpunimit me Listën Serbe.
Pretendime të ngjashme paraqiti edhe Gordana Nedelkoviq nga Graçanica, e cila tha se ishte larguar nga puna pas 35 vitesh shërbim në Shtëpinë e Shëndetit. Ajo deklaroi se vendimi lidhej me angazhimin politik të bashkëshortit të saj në partinë e Nenad Rashiqit.
Në debat morën pjesë edhe Milija Bishevac, Branislav Krstiq dhe Momçilo Trajkoviq, të cilët diskutuan për ndikimin politik të Beogradit dhe Prishtinës në komunitetin serb në Kosovë, si dhe për atmosferën politike para zgjedhjeve parlamentare.
Pjesëmarrësit kërkuan hetim institucional për rastet e pretenduara të presionit politik dhe largimeve nga puna, duke theksuar nevojën për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe garantimin e proceseve demokratike.

Serbia synon monopolin politik mbi serbët në Kosovë
Kurti uron Shiroka-Pulën: Do të punojmë bashkë për suksesin e ish-krerëve të UÇK-së në apel
Kuvendi miraton ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara
Shiroka-Pula pas zgjedhjes presidente: Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve
Kurti: Procesi i Berlinit të rikonfigurohet, Kosova kërkon prova, jo premtime
Koalicioni Shqiptar zyrtarizon listën për zgjedhjet e 25 tetorit në Serbi
Goditet për vdekje një këmbësor në Viti