Prishtinë 11 Maj 2026 14:52
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka deklaruar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mbetet i brishtë për shkak të mungesës së mirëbesimit, duke akuzuar Serbinë për veprime që, sipas tij, cenojnë sovranitetin dhe sigurinë e Kosovës. Deklaratat ai i bëri pas takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, të kryesuar nga Kaja Kallas.
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka deklaruar se problemi më i madh në dialogun Kosovë-Serbi mbetet mungesa e mirëbesimit, duke akuzuar Serbinë për sulme të drejtpërdrejta ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Konjufca ka përmendur sulmin në Banjskë dhe atë në kanalin e Iber-Lepencit, duke thënë se lidhjet e grupeve të përfshira me institucionet serbe janë të drejtpërdrejta.
“Si mund të ulemi me një palë e cila, derisa ne ulemi në tavolinën e dialogut, prapa shpinës organizon aksione që e godasin Kosovën në integritetin territorial dhe sovranitetin e saj”, ka deklaruar Konjufca.
Duke komentuar deklaratat e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, se zgjedhjet në Kosovë po shkaktojnë vonesa në dialog, Konjufca tha se kjo nuk është përgjegjësi e Kosovës.
“Edhe zgjedhjet në Kosovë duhet të kuptohen si pjesë e demokracisë dhe e kapaciteteve tona shtetërore”, është shprehur ai.
Sipas tij, situata politike po ndikon edhe në zbatimin e Planit të Rritjes së BE-së për Kosovën, pasi një pjesë e marrëveshjeve kërkojnë funksionalizimin e Kuvendit.
Konjufca është shprehur skeptik për ndonjë përparim të shpejtë në dialog, duke theksuar se edhe Serbia pritet të hyjë në proces zgjedhor deri në fund të vitit.
“Nuk pres ndonjë iniciativë në këta muaj të këtij viti. Të shohim në vitin 2027 se si do të zhvillohen gjërat”, ka deklaruar ai.
Ai ka kërkuar gjithashtu që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke theksuar se integrimi i Ballkanit Perëndimor nuk mund të konsiderohet i plotë pa Kosovën.

Kurti kërkon nga udhëheqja e re e Serbisë njohjen e pavarësisë së Kosovës
Kosova meriton avancimin evropian, Murtezaj vë në pah pengesat politike
Lista Studentore rrëzoi Vuçiqin, por jo retorikën nacionaliste ndaj Kosovës
Lista e Enkel Rexhepit del e para në zgjedhjet për KKSH-në, siguron 10 nga 29 mandatet
Britania e Madhe rikonfirmon mbështetjen për Kosovën, Burnham i shkruan Kurtit
Ndryshimet në Beograd mund të godasin rrjetin e Listës Serbe dhe strukturat paralele në Kosovë
Dokumentari kosovar vlerësohet në Milano, çmim ndërkombëtar për “Karate e Yjeve”
Mbi 224 milionë euro për ushtrinë, Maqedonci paralajmëron investime të reja
Aktakuzë për sulmet ndaj gazetarëve dhe KFOR-it në Zveçan më 29 maj 2023