Prishtinë, 19 prill 2026 07:54
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim dypalësh me homologun e tij serb, Marko Gjuriq, në kuadër të Forumit Diplomatik të Antalias 2026, ku u diskutua mbi forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe bashkëpunimin rajonal.
Pas takimit, ministri Hoxha bëri të ditur përmes një postimi në rrjetin social “X” se bisedimet u përqendruan në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe përmes dialogut dhe projekteve konkrete të bashkëpunimit ekonomik.
“Diskutimi ynë u përqendrua në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe përmes dialogut konstruktiv dhe bashkëpunimit konkret, me synim forcimin e mëtejshëm të lidhjeve ekonomike dhe tregtare, duke vlerësuar rolin e tyre në nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe të stabilitetit rajonal”, u shpreh Hoxha.
Një nga temat e rëndësishme të takimit ishte edhe hapja e një përfaqësie konsullore shqiptare në Serbi, konkretisht në Bujanoc. Ministri shqiptar e vlerësoi pozitivisht gatishmërinë e palës serbe për këtë hap.
“Në këtë kuadër, mirëprita gatishmërinë e Serbisë për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesës sonë për hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Bujanoc”, deklaroi ai.
Hoxha theksoi gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit rajonal dhe nevojën për të shmangur retorikat e tensionuara, duke e konsideruar bashkëpunimin si rrugën kryesore drejt integrimit evropian.
“Nënvizova domosdoshmërinë për të ruajtur, thelluar dhe forcuar bashkëpunimin rajonal si rruga më e besueshme drejt një të ardhmeje të përbashkët, duke lënë mënjanë retorikat e panevojshme dhe joproduktive”, u shpreh ministri.
Ai rikonfirmoi gjithashtu qëndrimin e Shqipërisë mbi dialogun Kosovë–Serbi, duke e cilësuar atë si të vetmen rrugë drejt normalizimit të marrëdhënieve.
“Rikonfirmova qëndrimin e qartë dhe të palëkundur të Shqipërisë mbi rëndësinë vendimtare të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si e vetmja rrugë e qëndrueshme drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve dhe njohjes reciproke”, theksoi Hoxha.

PE miraton raportin për Kosovën, thirrje që aplikimi për anëtarësim të marrë përgjigje të “bazuar në merita”
Parlamenti Evropian voton sot raportin për Kosovën
Mbahet takimi i parë i Komitetit Monitorues për Bashkëpunimin për Zhvillim
Rashiq: Serbët që nuk janë me Listën Serbe po përballen me presione dhe pengesa në kufi
Çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, Fetai jep dorëheqje nga posti i zëvendëskryeministrit
Kurti: Bashkërendimi me Shqipërinë, detyrë kombëtare
KQZ me plan operacional për ditën e zgjedhjeve
Konfirmohet se dy të vdekurit në detin e Shëngjinit janë nga Kosova
Kryetari i Mitrovicës së Veriut kundër tabelave zyrtare, policia i largon mbulesat (Video)