Prishtinë, 1 nëntor 2026 19:14
Kosova mund të përballet me kërcënime të sigurisë që nuk marrin domosdoshmërisht formën e një konflikti të armatosur. Sabotimet, sulmet kibernetike, operacionet e fshehta dhe dezinformimi janë disa nga rreziqet që po shqetësojnë Evropën dhe që mund të prekin edhe vendin.
Sipas një analize të publikuar nga Radio Evropa e Lirë, Rusia dyshohet se po përdor gjithnjë e më shumë operacione të fshehta për të krijuar pasiguri në vendet perëndimore, pa u përfshirë drejtpërdrejt në luftë me to.
Sipas të dhënave të Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), rastet e sulmeve dhe planeve për sulme fizike në Evropë, të identifikuara si të lidhura me Rusinë, janë rritur nga tri në vitin 2022 në 34 në vitin 2024.
Ndër metodat e përdorura përmenden rekrutimi i personave përmes platformave online, fotografimi i objekteve të rëndësishme, mbledhja e informacioneve dhe kryerja e akteve të sabotimit kundrejt pagesave.
Në Kosovë, këto rreziqe janë përmendur edhe në dokumentet e institucioneve të sigurisë. Në dokumentin strategjik SOCTA 2025, Policia e Kosovës paralajmëron për operacione të fshehta, sulme kibernetike, propagandë dhe përdorim të grupeve joformale për destabilizim.
Si shembuj të incidenteve të mëparshme përmenden sulmet kibernetike të majit 2024 ndaj ueb-faqeve të institucioneve të Kosovës, përfshirë Presidencën dhe Zyrën e Kryeministrit, si dhe shpërthimi në kanalin Ibër-Lepenc në nëntor të po atij viti.
Autoritetet e Kosovës e cilësuan shpërthimin në Ibër-Lepenc si sulm terrorist dhe akuzuan Serbinë për përfshirje, ndërsa Beogradi i mohoi përgjegjësitë. Deri më tani, nuk është bërë publike ndonjë dëshmi që e lidh këtë rast me shërbimet ruse të inteligjencës.
Ekspertët e sigurisë vlerësojnë se Ballkani Perëndimor mbetet rajon i cenueshëm ndaj operacioneve destabilizuese, për shkak të ndarjeve politike dhe tensioneve ndëretnike.
Një raport i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, i publikuar në gusht 2026, evidenton dobësi në koordinimin institucional, komunikimin gjatë krizave dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.
Një prej shqetësimeve kryesore është infrastruktura digjitale shtetërore, ku funksionojnë platforma eKosova dhe regjistrat shtetërorë. Një sulm i rëndë kibernetik mund të shkaktojë ndërprerje të shërbimeve për qytetarët dhe institucionet.
Ministria e Digjitalizimit ka bërë të ditur se Qendra Shtetërore e të Dhënave posedon mekanizma të sigurisë fizike dhe kibernetike, por infrastruktura rezervë për rikthimin e shërbimeve pas incidenteve të rënda është ende në fazën e projektimit.
Ndërkohë, Radio Evropa e Lirë ka kërkuar sqarime nga Policia, Prokuroria, Agjencia e Shoqërisë së Informacionit dhe KFOR-i për rreziqet e mundshme të sabotimit, rekrutimit dhe sulmeve kibernetike. Institucionet nuk janë përgjigjur deri në publikimin e analizës.
Përfundimi i analizës është se Kosova ka identifikuar disa nga kërcënimet, por vazhdon të ketë mangësi në përgatitjen institucionale dhe kapacitetet për reagim ndaj sulmeve hibride.

Nisin hetimet në Serbi për lirimin e Radoiçiqit pas sulmit në Banjskë
FSK-së i shtohen 12 kamionë ushtarakë, dhjetëra të tjerë priten më 2027
Kosova gati për Gazën, FSK-ja pret thirrjen për dislokim
209 rekrutë të rinj nisin stërvitjen ushtarake në FSK
FSK-ja avancon përgatitjen ushtarake përmes bashkëpunimit ndërkombëtar
Maqedonci: Gjatë pesë viteve u rekrutuan 3,220 ushtarë të rinj në FSK
Dyshohet për vrasje të rëndë në Gjilan, arrestohet 65-vjeçari
Kurti: Eksporti është rritur për 27.5 për qind krahasuar me vitin 2021
Gjenden të vdekur një 27-vjeçar dhe një foshnje në Demiraj të Gjilanit