Prishtinë, 17 prill 2026 08:04
Hulumtuesi në GLPS, Besar Gërgi, ka vlerësuar se një ndër arsyet kryesore pse Serbia nuk po vepron ndaj Milan Radoiçiqit lidhet me rrezikun politik që një hap i tillë do të kishte për vetë presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Sipas tij, nëse Radoiçiq do të dorëzohej para drejtësisë për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, ai do “ta merrte me vete poshtë” edhe Vuçiqin.
Në “Interaktiv” të KTV-së, Gërgi ka thënë se Serbia është shtet mafioz që kushdo që do ta merrte pushtetin në dorë do të duhej të bashkëpunojë me grupet kriminale.
“Serbia është një lloj shteti mafioz dhe kushdo që do ta marrë dhe do ta mbajë pushtetin në Serbi duhet të bashkëpunojë me grupet kriminale. Milan Radoiçiq nuk është se ka dalë në skenë në vitin 2023 me sulmin e Banjskës, ai ka qenë një nga ortakët e parë të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, pra emri i tij përfshihet në financimet e para të partisë së Vuçiqit, si dhe në disa nga projektet më kontraverse, është person që ka material jashtëzakonisht shumë komprometues mbi Vuçiqin dhe ideja e Vuçiqit duhet të jetë se në qoftë se e dorëzon Radoiçiqin, ai do ta marrë poshtë me vete edhe Vuçiqin”, ka thënë ai.
Prandaj, sipas tij, është vështirë që në muajt apo vitet e ardhshme të ketë arrestim të Radoiçiqit e aq më pak ekstradim të tij.
“Por kjo nuk do të thotë që Qeveria nuk duhet ta kërkojë këtë sepse për të drejtat tona duhet të luftojmë vetëm ne”, ka thënë më tej ai.
Sot gjatë ditës, Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, gjatë pritjes që ia bëri homologut të tij belg, Maxime Prevot, ka përmendur sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit dhe atë në kanalin e Ibër Lepencit dhe ka thënë se vetëm dënimi i kryesve të këtyre sulmeve mund të kthejë atmosferë minimale mirëbesimi për dialog me Serbinë.
“Nuk po lypi diçka krejt të jashtëzakonshme, por po them minimale. Minimale e mirëbesimit është që kryesit e këtij akti terrorist në Banjskë, të cilët e vranë Afrim Bunjakun, këta duhet me përfundu në burg. Këta duhet me qenë prapa grilave. Këta nuk mund të jenë njerëz kryesorë në Serbi edhe dora e djathtë e Vuçiqit qysh janë sot, edhe qysh i shohim sot që veprojnë në Serbi. Kjo është elementare, kjo është bazike”, ka thënë Konjufca.
Ai ka akuzuar ish-ndërmjetësin e dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, që, sipas tij, e pati vendosur pandershëm formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe si parakusht për anëtarësim të shtetit në Këshillin e Evropës.
Për këtë deklaratë, Gërgi ka thënë se Konjufca dhe Qeveria po tentojnë të paraqesin Asociacionin si një lloj përgjegjësie që e ka ngarkuar Lajçaku.

Kuvendi mban sot seancë plenare, në rend dite Projektligji për Byronë dhe dërgimi i FSK-së jashtë vendit
Nënshkruhet marrëveshja për eliminimin e tatimit të dyfishtë ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës
Kurti priti në darkë pune Sorensenin, diskutuan për aktualitetet politike dhe zhvillimet e brendshme
Ministri i Jashtëm i Belgjikës në Kosovë, do ta takojë Kurtin dhe Konjufcën
Zulfaj: Kosova në Bashkimin Evropian është një përpjekje e përbashkët
Ministri kroat i përgjigjet Vuçiqit për aleancën me Kosovën dhe Shqipërinë
Tragjedia në Malishevë, sot ditë zie dhe pezullim i mësimit në shkollën e dy nxënësve
27 vjet nga Masakra e Poklekut dhe Çikatovë të Vjetër
Peci: Kosova në momentum të favorshëm, Serbia nën presion