Prishtinë, 16 prill 2026 22:02
Në kohët e fundit, në Kosovë janë vërejtur përpjekje që synojnë të cenojnë harmoninë ndërfetare, një nga vlerat më të spikatura të shoqërisë kosovare. Kjo ka nxitur reagime nga përfaqësues institucionalë dhe fetarë, të cilët bëjnë thirrje për kujdes, bashkëpunim dhe ruajtje të kësaj trashëgimie të rëndësishme, në një tryezë të mbajtur të Enjten në ambientet e Bashkësisë Islame të Kosovës në Prishtinë e ku përfaqësues institucional dhe fetar diskutuan për rëndësinë e tolerancës.
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka shprehur shqetësimin për rritjen e gjuhës së urrejtjes të maskuar si liri shprehjeje. “Kohëve të fundit, në veçanti në dekadat e fundit, sikur dikujt nuk është kah i pëlqen kjo harmoni. Duke u thirrur në demokraci dhe në lirinë e të shprehurit, por pa e kuptuar thelbin dhe kufijtë e saj, disa po rrëshqasin në urrejtje dhe po e nxisin atë brenda kombit shqiptar”, tha ai.
Tërnava theksoi se thirrjet për t’u distancuar nga feja, në emër të identitetit kombëtar, nuk pasqyrojnë realitetin dhe përbëjnë cenim të të drejtave themelore.
“Kjo është urrejtje, madje mund ta quaj krim, sepse nuk është krim vetëm të vrasësh dikë, por edhe të shkelësh të drejtat elementare të njeriut”, shtoi ai, duke bërë thirrje për maturi dhe reagim të vazhdueshëm ndaj këtyre tendencave.
Në të njëjtën linjë, Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, theksoi rëndësinë e respektimit të lirisë individuale pa e keqpërdorur atë për nxitje përçarjeje.
“Ne gëzojmë lirinë që secili të përcaktohet sipas bindjeve të veta. Duhet t’ia njohim këtë liri njëri-tjetrit, por nuk duhet ta përdorim atë për të shprehur mllef apo për të nxitur urrejtje ndaj atyre që mendojnë ndryshe”, u shpreh ai.
Gjergji e cilësoi si të gabuar çdo përpjekje për të prishur harmoninë fetare, duke theksuar se edhe thirrjet për braktisje të fesë janë të papranueshme, ndonëse pjesë e lirisë së shprehjes.
Ndërkohë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh se përpjekje të tilla mund të jenë si të qëllimshme ashtu edhe rezultat i gabimeve, por kërkojnë vigjilencë institucionale.
“Ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të shohim se kush po e dëmton harmoninë tonë të brendshme, duke u përpjekur të bashkëbisedojmë me ta. Megjithatë, ligji duhet të vlejë për të gjithë njësoj”, deklaroi Kurti.
Ai shtoi se përpjekjet për përçarje nuk janë të reja dhe nuk kanë pasur sukses as në të kaluarën. “Dialogu, respekti dhe bashkëpunimi mbeten themeli i një shoqërie të qëndrueshme dhe të bashkuar”, përfundoi ai.
Deklaratat e përfaqësuesve institucionalë dhe fetarë vijnë si një thirrje e qartë për ruajtjen e harmonisë ndërfetare në Kosovë, duke e konsideruar atë si një vlerë të çmuar që duhet mbrojtur dhe përcjellë tek brezat e rinj.

Parandalohet mashtrimi me 21 prona në Mitrovicë, tre persona të arrestuar
Kamberi: Deklaratat e ministres serbe kanë krijuar frikë dhe pasiguri te shqiptarët në Luginë të Preshevës
Britania e Madhe dënon deklaratat e ministres serbe për Kosovën
Të Premten në Prokurorinë Speciale do të dorëzohet Kallëzim Penal ndaj Snezhana Paunoviqit, do të kërkohët edhe urdhër-arrest ndërkombëtar
Investim prej 6.8 milionë eurosh për zgjerimin e rrugës QMI–Lipjan
Rishikohen lejet mjedisore, Pacolli: Pjesëmarrja e qytetarëve nuk do të jetë formalitet
Reagon edhe Departamenti Amerikan i Shtetit ndaj deklaratës së ministrës serbe për “spastrim etnik në Kosovë”
Deklarata skandaloze e ministres serbe, eurodeputeti çek: Serbia të përjashtohet nga negociatat me BE’në
KE konfirmon pranimin e raportit të Kosovës për Planin e Rritjes