Prishtinë, 16 prill 2026 21:36
Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar një muaj paraburgim Dejan Peleviqit, i dyshuar për krime lufte në Skenderaj. Sipas Prokurorisë, ky i dyshuar dhe të uniformuar të tjerë, pasi morën injeksione, u nisën për të kryer krime në dy drejtime, duke vrarë 15 civilë shqiptarë dhe zhdukur 16 të tjerë
Dejan Peleviqit iu lexuan të enjten në gjykatë krimet që Prokuroria beson se ai i kreu 27 vjet më parë në Komunën e Skenderajt, mes të cilave edhe privimi nga jeta i 15 civilëve shqiptarë.
Ish-zyrtari i MUP-it serb, i cili u arrestua dy ditë më parë në veri, u ul në bankën e të dyshuarit, pasi dyshohet për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.
Në kërkesën e Prokurorisë për masën e paraburgimit, thuhet se Peleviq dhe pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, u nisën për të kryer krime nga stacioni i policisë, ku paraprakisht morën injeksione nga persona me mantele të bardhë.
“Një numër i forcave nga këto njësi dhe të identifikuar me veshje të kamufluar ngjyrë të bardhë lëvizën deri te stacioni policor dhe aty në formacion rresht nga dy qëndruan për pak kohë derisa tre persona të veshur me mantele të bardhë, të ngjashëm me personel mjekësor, zbritën nga ballkoni i stacionit policor – Skenderaj dhe u dhanë injeksione pjesëtarëve të forcave serbe, më pas, forcat serbe u ndanë në dy drejtime: një formacion u drejtua kah shtëpitë përballë stacionit, ndërsa tjetri drejt lagjes II të qytetit. Në mënyrë të koordinuar, grupe prej 3-4 pjesëtarësh hynin në secilën shtëpi, pastaj u ushtrua dhunë e rëndë, u vranë civilë të pafajshëm dhe u shkaktua terror në radhët e popullsisë shqiptare. Gjatë këtij operacioni të kundërligjshëm nga forcat serbe, në oborret dhe shtëpitë e lagjes dhe në vendin e quajtur pishat, përveç dëbimit, djegies së shtëpive dhe pasurisë, plaçkitjes dhe torturës çnjerëzore ndaj banorëve, janë vrarë pesëmbëdhjetë (15) civilë shqiptarë dhe kanë zhdukur gjashtëmbëdhjetë (16) civilë të tjerë shqiptarë, të paarmatosur dhe të pa përfshirë në luftë”, thuhet në kërkesën e prokurorisë.
Sipas kërkesës së prokurorisë, në mars të 1999-s, i dyshuari Peleviq si zyrtar i MUP-it serb bashkë me persona të tjerë të forcave policore e ushtarake, nisin një aksion nga Fabrika e Municionit, për të plaçkitur dhe dëbuar civilët shqiptarë.
“Forca të shumta ushtarake dhe policore fillimisht ishin koncentruar në lokacionin e Fabrikës së Municionit në fshatin Prekaz dhe nga aty shpërndahen duke lëvizur me formacione me mjete – makineri ushtarake dhe policore. Formacionet ushtarake përforcojnë pozicionet periferike të qytetit duke vendosur makineri dhe personel shtesë në hyrje-dalje të qytetit dhe në disa pika dominonte me qëllim që të pamundësohet lëvizja e qytetarëve brenda dhe jashtë qytetit të Skenderajt. Disa formacione nga njësitë elitare të MUP-it që operuan direkt në kryerjen e krimeve ishin të veshura me uniforma të bardha, maska dhe dorëza të zeza”, thuhet në kërkesën e prokurorisë.

Reagojnë familjarët e viktimave të luftës
Paraqiten katër kërkesa në protestën e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së
Nis protesta në sheshin e Prishtinës, në mbështetje të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
Galica: Brovina ishte luftëtare e UÇK-së, ajo nuk u ndal as kur u burgos
“Jo në emrin tonë”, Këshilli i Ambasadorëve reagon pas aktgjykimit ndaj krerëve të UÇK-së
Sot i jepet lamtumira e fundit Flora Brovinës
Arrestohet 32-vjeçari, dyshohet se kërcënoi Donika Gërvallën
Kryeministri Kurti udhëton në SHBA, në agjendë takime me liderë ndërkombëtarë
27 vjet nga themelimi i TMK-së