Prishtinë, 02.04.2026 12:24
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në raportin e tij vjetor thekson se, pavarësisht sfidave politike, Kosova ka mbajtur një stabilitet relativ ekonomik, megjithatë përballet me sfida në rritje.
Sipas FMN-së, ekonomia ka vijuar të shënojë rritje, por me një ritëm më të ngadaltë, ndërsa inflacioni ka shënuar rritje dhe rreziqet, sidomos ato të lidhura me pasigurinë politike, vazhdojnë të jenë të pranishme.
FMN vlerëson se rritja reale e Bruto Produktit Vendor (BPV) ka rënë në 3.6% në vitin 2025, nga 4.6% sa ishte në vitin paraprak. Ky ngadalësim i atribuohet kryesisht rënies së eksporteve neto dhe dobësimit të kërkesës private, edhe pse është kompensuar pjesërisht nga rritja e konsumit dhe investimeve publike.
Në anën tjetër, sipas FMN-së inflacioni ka vazhduar të rritet, duke arritur në rreth 5.75% në janar të vitit 2026, i nxitur kryesisht nga çmimet më të larta të ushqimeve.
Deficiti i llogarisë rrjedhëse është zgjeruar në 9.2% të BPV-së në vitin 2025, nga 8.4% një vit më parë, kryesisht si rezultat i rritjes së importeve të energjisë dhe ushqimit.
FMN parashikon që rritja ekonomike të ngadalësohet më tej në 3.3% gjatë vitit 2026, duke u ndikuar edhe nga zhvillimet globale, përfshirë konfliktet në Lindjen e Mesme. Megjithatë, në periudhë afatmesme, rritja pritet të stabilizohet rreth 4%.
Inflacioni pritet të arrijë në 5.9% gjatë vitit 2026, përpara se të bjerë gradualisht drejt objektivit prej 2% deri në mesin e vitit 2028.
Bordi i FMN-së ka theksuar nevojën për rikalibrim të politikave fiskale, duke rekomanduar shmangien e një zgjerimi fiskal në vitin 2026. Sipas tyre, Kosova duhet të balancojë stabilitetin makroekonomik me objektivat zhvillimore, duke përfshirë: kontrollin e shpenzimeve aktuale, rritjen e investimeve publike cilësore, përmirësimin e të hyrave buxhetore.
Po ashtu, kërkohet rritje e transparencës dhe përmirësim i menaxhimit të financave publike dhe rreziqeve fiskale. FMN vlerëson se sektori bankar në Kosovë mbetet i shëndoshë, me nivel të ulët të kredive joperformuese. Megjithatë, rekomandohet forcimi i mbikëqyrjes financiare, menaxhimit të krizave dhe mekanizmave të sigurisë financiare.
FMN ka kërkuar monitorim të kujdesshëm të rritjes së kreditimit dhe ekspozimit ndaj sektorit të pasurive të paluajtshme. Tutje në raport theksohet se reformat strukturore janë thelbësore për rritje të qëndrueshme dhe afrimin ekonomik me Bashkimin Evropian. Në këtë drejtim, rëndësi të veçantë ka zbatimi i Planit të Ri të Rritjes së BE-së, i cili mund të ndikojë pozitivisht në rritje dhe punësim.
Raporti gjithashtu nënvizon nevojën për uljen e papunësisë dhe rritjen e pjesëmarrjes në tregun e punës, sidomos të grave, luftimin e ekonomisë informale, përmirësimin e aftësive të fuqisë punëtore, reforma në sektorin e energjisë për rritjen e kapaciteteve dhe efikasitetit.
FMN paralajmëron se rreziqet për ekonominë e Kosovës mbeten kryesisht në kahun negativ, për shkak të pasigurive politike të brendshme dhe zhvillimeve të jashtme globale.

Haxhiu: Zhvillimi i mëtejmë i Forcës së Sigurisë së Kosovës mbetet prioritet shtetëror
“Ligji bashkon, nuk ndan”, deklarata e Kurtit nga veriu
Miratohet projektligji për shërbimet e pagesave, Murati: Ulet kostoja e shërbimeve të pagesave
Kurti në veri të Kosovës, merr pjesë në hapjen e filialit të ATK-së
Çmimet e naftës bien ndjeshëm pas marrëveshjes për armëpushim mes SHBA-së dhe Iranit
Komisioni në Hagë po trajton 15 mostra që dyshohet se u përkasin të zhdukurve gjatë luftës