Prishtinë, 25 shkurt 2026 17:44
Babai i njërit prej të rinjve të vrarë në kafenenë “Panda” në Pejë, Ljubomir Ristiç, ka kërkuar që Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të merret në pyetje në lidhje me deklaratat e tij publike për ngjarjen tragjike të 14 dhjetorit 1998, ku humbën jetën gjashtë të rinj.
Në një prononcim për media, Ristiç theksoi se familjet e viktimave kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur takim me Vuçiqin, pas deklaratave të tij se “e di çfarë ndodhi natën kritike në ‘Panda’”, por sipas tij, ato nuk janë pranuar.
Ai shtoi se bashkë me përfaqësuesin e tyre ligjor, avokatin Ivan Niniç, kanë kërkuar zyrtarisht nga Prokuroria për Krimin e Organizuar që presidenti të dëgjohet si dëshmitar, por deri më tani kjo nuk ka ndodhur.
“Vuçiq nuk na priti kurrë për një takim as nuk patëm bisedë me të, edhe pse e kishte premtuar një gjë të tillë. Prokuroria për Krimin e Organizuar, ku po zhvillohet hetimi për vrasjen e fëmijëve tanë, nuk e ka dëgjuar atë për njohuritë që ai vetë ka deklaruar publikisht se i posedon. Kërkojmë që më në fund të dëgjohet, në mënyrë që gjatë jetës sonë të mësojmë kush i vrau dhe kush urdhëroi vrasjen e gjashtë djemve”, tha Ristiç.
Disa deklarime të mëhershme të Vuçiqit
Sipas përfaqësuesit ligjor të familjeve, më 10 gusht 2023 është dorëzuar një propozim provash në Prokurori për marrjen në pyetje të Vuçiçit, duke iu referuar deklaratave të tij të mëhershme.
Në dhjetor 2013, Vuçiq kishte deklaruar se krimi në “Panda” nuk ishte kryer nga shqiptarët, siç ishte besuar deri atëherë, dhe se publiku do të “tmerrohej” kur të mësonte të vërtetën.
Madje, për këtë rast, gjykata në Nish kishte dënuar dy shqiptarë.
Dy vjet më vonë, Vuçiq ishte shprehur i sigurt për atë që kishte ndodhur, por se nuk kishte prova.
“Jam pothuajse i sigurt se çfarë ndodhi në kafenenë “Panda”, por nuk kam prova. Nuk jam i sigurt se autoritetet tona mund të jenë krenare për atë që bënë atëherë”, kishte deklaruar Vuçiç.
Masakra e 14 dhjetorit 1998
Mbrëmjen e 14 dhjetorit 1998, rreth orës 20:00, dy persona të maskuar hapën zjarr me armë automatike ndaj mysafirëve të kafenesë “Panda” në Pejë, shumica nxënës të shkollës së mesme.
Nga sulmi mbetën të vrarë gjashtë të rinj: Ivan Obradoviç (15), Zoran Stanojeviç (18), Vukota Gvozdenoviç (16), Svetislav Ristiç (18), Ivan Radeviç (24) dhe Dragan Trifoviç (18). Tre persona të tjerë u plagosën, dy prej tyre rëndë.
Pak ditë pas sulmit, autoritetet arrestuan disa shqiptarë nën dyshimin për përfshirje në krim, por ata u liruan për mungesë provash. Më vonë, zyrtarë të lartë të të Jugosllavisë së atëhershme deklaruan se rasti ishte zbardhur, por pa detaje konkrete për publikun.
Hetimi zyrtar në Prokurorinë për Krimin e Organizuar në Beograd nisi më 12 maj 2016. Deri më tani janë marrë në pyetje 39 dëshmitarë, por nuk është ngritur asnjë aktakuzë.
Hetim pa progres
Në shtator të vitit 2025, Prokuroria për Krimin e Organizuar njoftoi se hetimi nuk është mbyllur, por konfirmoi se në dy vitet e fundit nuk është marrë në pyetje asnjë dëshmitar i ri dhe nuk janë ndërmarrë veprime të reja provuese.
Ndërkohë, prokuroria në Serbi kishte deklaruar për mediat serbe se nuk është marrë vendimi për marrjen në pyetje të dëshmitarëve të rinj, përfshirë edhe vetë presidentin serb.
“Prokuroria do të vendosë për dëshmitarët që do të merren në pyetje, përfshirë Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe për kohën e ndërmarrjes së këtyre veprimeve, në përputhje me vlerësimin objektiv të situatës faktike”, thuhet në përgjigjen zyrtare.
Ndërkohë, për familjet e viktimave, kalimi i kohës pa përgjigje përbën një barrë shtesë në kërkimin e drejtësisë për një nga krimet më të rënda dhe ende të pazbardhura të periudhës së luftës në Kosovë.

Kamberi: Lugina e Preshevës duhet të jetë në agjendën e përbashkët Kosovë–Shqipëri
Kosova pa president, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme
Kurti: I ofrojmë LDK-së edhe 15 nënshkrime për kandidatin e tyre, Hoxha u dakordua të tërhiqet
Seanca për Presidentin shtyhet në ora 23:00
Kurti: Mbrëmë u kam shkruar Hamzës dhe Abdixhikut, por nuk janë përgjigjur për çështjen e presidentit
Kurti: Opozita po bllokon qeverisjen, sjellje jokushtetuese dhe mosnjohje e vullnetit popullor
Zbulohen mbetje mortore në Krushë të Vogël – dyshohet për person të zhdukur nga lufta
Gjykimi për krime lufte ndaj Grujica Veljoviq mbahet në mungesë
Reagime të shumta, shkruhet saktë Prishtina në kompanitë e njohura gjermane
3.2 milionë euro mbështetje financiare për projekte ndërkufitare Kosovë – Maqedoni e Veriut