Mitrovicë, 15 shkurt 2026 10:16
Disa ditë më parë, Lista Serbe mbajti një takim me pjesëtarë të komunitetit serb nga veriu i Kosovës, ku u shpreh kundërshtimi ndaj dialogut të nisur nga institucionet e Kosovës për përfshirjen e arsimit dhe shëndetësisë në sistemin institucional të Republikës së Kosovës. Pas këtij takimi, partia miratoi një deklaratë politike, e cila nxiti reagime të shumta nga përfaqësues politikë, ish-zyrtarë institucionalë dhe iniciativa qytetare, shkruan Veritasinfo.
Politikani nga Zubin Potoku, Milija Bishevac, vlerëson se deklarata e miratuar përfaqëson një performancë politike pa synim real për zgjidhje themelore dhe institucionale.
Sipas tij, qëllimi i kësaj qasjeje është krijimi i përshtypjes së një “lufte të supozuar” për interesat e qytetarëve, ndërsa në praktikë mungon vullneti për dialog institucional.
Ai thekson se për këtë arsye nuk ka marrë pjesë në takim, edhe pse ishte i ftuar, duke shtuar se mungesa e gatishmërisë për debat në institucione legjitime dëshmon për refuzimin e një qasjeje serioze.
Në anën tjetër, ish-zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Skender Sadiku, deklaron se dokumenti përfaqëson një qëndrim politik që reflekton një realitet të ri.
Sadiku thekson se institucionet e Kosovës duhet të veprojnë me më shumë demokraci dhe përmes zbatimit të ligjeve në të gjithë territorin e vendit, duke shtuar se ekzistenca e shkollave serbe është e mundshme, por vetëm nëse ato respektojnë kornizën ligjore të Republikës së Kosovës.
Ndërkohë, politikani serb nga Kosova, Branislav Kerstiç, shprehet për Veritasinfo se deklarata e miratuar nuk ka fuqi reale dhe se qëllimi i saj është të errësojë realitetin para elektoratit.
Sipas tij, bëhet fjalë për një përpjekje transparente për të simuluar rezistencë politike, në një kohë kur proceset ndërkombëtare po ecin përpara.
Përveç reagimeve individuale, edhe tri iniciativa qytetare nga Mitrovica e Veriut kanë refuzuar të marrin pjesë në takimin e ftuar nga Lista Serbe.
Në një deklaratë të përbashkët të këshilltarëve komunalë, këto iniciativa kanë bërë të ditur se nuk i janë përgjigjur ftesës për takim, duke vlerësuar se formati i tillë nuk ofron hapësirë për debat gjithëpërfshirës, transparent dhe institucional mbi çështje kaq të ndjeshme për komunitetin lokal.
Sipas tyre, dialogu për arsimin dhe shëndetësinë duhet të zhvillohet përmes institucioneve përkatëse dhe me pjesëmarrjen e të gjitha palëve relevante, në mënyrë që vendimet të kenë legjitimitet demokratik dhe ndikim afatgjatë për qytetarët.
Këshilltarët komunalë të Mitrovica e Veriut, nga iniciativat qytetare “Veriu për të gjithë”, “Rrënjët” dhe “Lëvizja Popullore”, kanë bërë të ditur se nuk i janë përgjigjur ftesës së Listës Serbe për takim, duke e cilësuar atë si një aktivitet pa peshë reale institucionale dhe politike.
Në deklaratën e përbashkët, ata theksojnë se tubime të tilla nuk përfaqësojnë një luftë të vërtetë për interesat e popullit serb, por, sipas tyre, janë një simulim i rezistencës politike dhe një përpjekje për të mbuluar vitet e heshtjes dhe përgjegjësisë politike.
“Ne jemi kundër ligjeve kontroverse dhe kundër çdo forme të dhunës institucionale që ka rrezikuar të drejtat e popullit serb ndër vite, por nuk do të marrim pjesë në aktivitete që nuk kanë as peshë institucionale dhe as pasoja reale politike, e që shërbejnë vetëm për të krijuar pamjen e një lufte”, thuhet në deklaratë.
Ata rikujtojnë se më herët kanë paralajmëruar për problemet që, sipas tyre, po përshkallëzohen sot, duke kërkuar që vullneti i qytetarëve të institucionalizohet përmes deklaratave dhe vendimeve në kuvendet lokale, si dhe përmes protestave publike.
Sipas tyre, në atë periudhë, Lista Serbe ka heshtur, ka shmangur përgjegjësinë politike dhe ka penguar shprehjen publike të pakënaqësisë së qytetarëve, duke refuzuar unanimisht miratimin e deklaratës që këto iniciativa kishin propozuar.
Në këtë kontekst, ata ngrenë pyetjen nëse proceset, pasojat e të cilave i cilësojnë si të dëmshme për popullin serb, janë pjesë e marrëveshjeve që Lista Serbe i ka pranuar dhe zbatuar më herët, dhe që, sipas tyre, janë formësuar nën udhëheqjen politike dhe ideologjike të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.
Sipas këtyre iniciativave qytetare, momenti i organizimit të takimit të Listës Serbe është domethënës, pasi përkon me ftesën e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, drejtuar kryetarëve të katër komunave veriore për të diskutuar integrimin e arsimit dhe shëndetësisë në sistemin e Kosovës.
“Prandaj, me arsye dyshojmë se mbledhje të tilla ‘konsultative’ shërbejnë për të mbuluar dhe amortizuar politikisht procese dhe marrëveshje për të cilat publiku nuk është informuar në kohë dhe në mënyrë transparente, si dhe për të shmangur përgjegjësinë e atyre që e kanë sjellë komunitetin tonë në këtë pozitë”, përfundohet në deklaratë.
