Prishtinë, 4 shkurt 2026 08:37
Aleksander Ivanoviq ngriti edhe pyetjen se si është e mundur që BIA, e cila në atë kohë – siç tha – e kishte nën vëzhgim, të mos ketë njohuri se Oliver Ivanoviqin, në të njëjtën kohë, e ndiqte edhe dikush tjetër dhe po përgatiste logjistikën për kryerjen e vrasjes së tij.
“Nëse e ka vrarë ndonjë shqiptar, kinez, japonez, francez apo italian, le të shohim çfarë keni bërë ju për ta mbrojtur. Ku janë kamerat, dhjetëra e qindra kamera që i kontrollon BIA? Ku janë ato incizime?”, pyeti Ivanoviq, duke shtuar se Oliver Ivanoviq ishte nën masa të BIA-s, përkatësisht të zyrës së kësaj agjencie në Kraljevë, e cila – siç tha – është përgjegjëse për rajonin e Novi Pazarit, por edhe për veriun e Kosovës.
“Ai ndiqej, ishte nën masa. Në të njëjtat masa si edhe avokati Misha Ognjanoviq. Si është e mundur që BIA, e cila të ndjek, të incizon, i regjistron të gjitha këto, të mos ketë dijeni se në të njëjtën kohë dikush tjetër po të ndjek dhe po përgatit logjistikën për vrasjen tënde? Dhe pastaj ata tërhiqen, zhduken dhe askush nga kjo anë nuk di asgjë. Dimë vetëm se qenka një shqiptar. Ka shumë nelogjikë dhe shumë gjëra e rrethana të çuditshme në gjithçka që kemi përjetuar gjatë këtyre tetë viteve të heshtjes së tmerrshme të shtetit, i cili në këtë mënyrë në thelb vetëm dëshiron ta mbulojë këtë rast”, shtoi ai.
Ai u ndal edhe te momenti kur ish-drejtori i BIA-s, Bratislav Gashiq, në Parlamentin e Serbisë, deklaroi se vrasësi i Oliver Ivanoviqit fshihet në Gjermani. Gashiq ishte ulur përpara një dosjeje me titullin “Oliver Ivanoviq”. Autoritetet gjermane i demantuan këto pretendime.
“Vetëm pak ditë më pas, jo vetëm ai, por edhe presidenti i shtetit, duke e kuptuar sa dëm po i shkaktojnë jo vetëm familjes Ivanoviq, por edhe shtetit të Serbisë, qytetarëve të Serbisë, madje edhe vetë atyre personalisht me deklarata të tilla, thanë: ‘Epo, e dini, nuk e kemi menduar ashtu’. Sikur të ishte një stand-up komedi e shëmtuar, e dështuar, tipike për ta, pa asnjë përgjegjësi, dhe historia përfundon aty’.
“Ja, e dimë, tani vrasësit janë atje, e nesër themi: ‘Po bëjmë shaka, ndoshta nuk janë atje, ndoshta janë diku tjetër’. Skandaloze është sistemi në të cilin jetojmë”, tha Ivanoviq.
Ai kujtoi se Oliver Ivanoviq, para vrasjes, kishte qenë në BIA sepse siguria e tij ishte e rrezikuar, por se deri më sot nuk ka marrë përgjigje se çfarë ka thënë Oliver Ivanoviq gjatë atij takimi, kush e ka pritur dhe çfarë ka bërë BIA në përputhje me atë që ai ka deklaruar.
“Në gusht të vitit 2024 më është thënë: ‘Do ta merrni informacionin’”, tha Aleksandar Ivanoviq, duke shtuar se më pas është takuar me shefin e kabinetit të drejtorit aktual të BIA-s, Vladimir Orliq, por se përgjigje nuk ka marrë.
“Ata e injorojnë këtë. Do të thotë, unë e përsëris, ata e injorojnë… Nga gjithçka përpiqen të bëjnë një shfaqje”, shtoi Aleksandar Ivanoviq.
Duke iu referuar procesit gjyqësor të shkallës së parë para gjykatës së Kosovës lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit, ai tha se ai proces mbart “absurd”, sepse janë dënuar ndihmësit e supozuar, por pa përgjigje në pyetjen kyçe – kë në të vërtetë e kanë ndihmuar?
“Këto institucione kanë treguar se nuk janë në nivelin e detyrës. Gjatë procedurës, katër dëshmitarë të mbrojtur, të cilët ndoshta do ta çonin këtë histori në një drejtim tjetër dhe do t’i jepnin peshë tjetër, disi ‘gabimisht’, siç thonë ata, u zbuluan identitetet e tyre. Në atë moment ata, të vetëdijshëm se çfarë do t’u ndodhte atyre apo anëtarëve të familjeve të tyre, u tërhoqën nga procedura dhe kjo histori me atë aktgjykim mbetet pezull, sepse ne nuk e dimë kë kanë ndihmuar”, tha ai.
Aleksandar Ivanoviq u ndal edhe te qasja e pushtetit ndaj Kosovës, duke vlerësuar se çështjen e Kosovës e shohin vetëm si një “zhëton në tryezën ndërkombëtare”.
“Me të cilin ata tregtojnë për hir të mbijetesës së pushtetit në Beograd, ndërsa gjithçka tjetër që ndodh është në fakt vetëm një reality-show mediatik që ua servirin qytetarëve të Serbisë. Dhe në atë reality-show mediatik përpiqen t’ua paraqesin ‘të vërtetën’ e tyre, gjë që në thelb s’ka lidhje me logjikën. Pas tetë vitesh nga vrasja e Oliverit, por edhe pas 14 vitesh të qeverisjes së tyre me shtetin dhe sistemin, shihen rezultatet e atij dështimi që ata kanë tentuar dhe ende tentojnë të na i imponojnë si fitore. E mbani mend atë 5:0, 6:0…”, përfundoi ai.
Oliver Ivanoviq u vra në kohën kur ishte nën masa të Agjencisë Serbe të Sigurisë dhe Informacionit (BIA), deklaroi në emisionin “Bez pardona” nipi i tij dhe politikani opozitar serb, Aleksandar Ivanoviq.
