Prishtinë, 22 shtator 2025
Sonja Biserko, themeluese dhe drejtoreshë e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, ka dhënë një analizë të thellë mbi situatën politike në rajon, duke kritikuar hapur lidershipin aktual serb – përkatësisht presidentin Aleksandar Vuçiq dhe liderin e Republikës Srpska, Milorad Dodik.
Në një intervistë të gjatë dhe të drejtpërdrejtë për Radiosarajevo.ba, Biserko, thotë se parada ushtarake e mbajtur më 20 shtator në Beograd ishte më shumë një shfaqje force për të fshehur krizën e brendshme politike në Serbi sesa një demonstrim real i unitetit kombëtar. Ajo e cilëson këtë si një përpjekje të Vuçiqit për të frikësuar qytetarët dhe për të krijuar iluzionin e fuqisë, ndërsa në fakt vendi është në thellim të krizës politike dhe institucionale.
“Vuçiq përpiqet të mbulojë ndarjet e thella shoqërore duke inskenuar kërcënime të jashtme dhe armiq të përhershëm të ‘serbizmit’”, deklaroi Biserko.
Ajo thekson se përmes paradeve dhe retorikës nacionaliste, Vuçiq dhe Dodik po përpiqen të eksportojnë krizën e brendshme të Serbisë drejt Bosnje dhe Hercegovinës, duke përdorur entitetin Republika Srpska si mjet për destabilizim rajonal.
Biserko thotë se të dy liderët – Vuçiq dhe Dodik – janë në fund të karrierave të tyre politike. Sipas saj, Vuçiq ka humbur kredibilitetin ndërkombëtar pas agresionit rus në Ukrainë dhe përpjekjeve të dështuara për të balancuar ndërmjet Moskës dhe Perëndimit. Nga ana tjetër, Dodik është nën sanksione ndërkombëtare dhe po përballet me izolim të thellë politik, përfshirë edhe ndalimin e hyrjes në vende si Sllovenia dhe Austria, ku ai dhe familja e tij dyshohet se kanë investime të konsiderueshme.
“Dodik është i dobësuar, por jo i pafuqishëm. Ai ende mund të krijojë kriza, por ndikimi i tij është shumë më i kufizuar. Politika e tij tashmë është më shumë një përpjekje personale për të shmangur ndjekjen penale sesa një përfaqësim real i vullnetit të qytetarëve të RS,” – u shpreh Biserko.
Biserko thekson se marrëdhënia mes Vuçiqit dhe Dodikut është më shumë një llogari strategjike sesa një aleancë e sinqertë. Beogradi, sipas saj, e sheh RS-në si pjesë të projektit të “botës serbe”, por do ta braktisë Dodikun nëse ai shndërrohet në një barrë për interesat ndërkombëtare të Serbisë.
“Vuçiq e përdor Dodikun si mjet për negociata me Perëndimin: ‘Nëse më shtypni mua, ja çfarë mund të bëjë Dodiku’. Por nëse Dodik bëhet problem i madh për pozicionin ndërkombëtar të Serbisë, Vuçiq do ta lërë pa shumë hezitim,” – paralajmëron Biserko.
Deklaratat e Biserkos vijnë në një kohë kur Perëndimi – veçanërisht SHBA dhe BE – po rishikon qëndrimin e tij ndaj rajonit. Ajo vë në dukje se projekti i “botës serbe”, i promovuar që nga viti 2013, nuk është më i perceptuar si një slogan i padëmshëm, por si një rrezik real për stabilitetin e Ballkanit. Pas agresionit rus në Ukrainë, BE dhe NATO janë më të vëmendshëm ndaj skenarëve të mundshëm destabilizues në Bosnje dhe më gjerë.
“Kriza në Serbi nuk vjen nga jashtë, por është e krijuar nga brenda, nga vetë pushteti. Përpjekjet për ta eksportuar në Bosnje nuk do të kenë sukses, sepse faktori ndërkombëtar tashmë është më i vëmendshëm dhe nuk do të lejojë eskalimin e një konflikti të ri”.

Hapja e konsullatës serbe në Shkodër, banorët në protestë: I kemi të freskëta plagët, kemi vuajtur shumë
Sveçla: Serbia refuzon të tregojë varret masive dhe ndëshkon ata që flasin
Koci: Sa herë ka hetime për krime lufte në Kosovë, ka arrestime në Serbi
Islami: Serbia po përdor arrestimet për të barazuar viktimën me kriminelin
Hoxha: Hapja e konsullatës serbe në Shkodër s’nënkupton pandjeshmëri ndaj Kosovës
Kamberi: Serbia po i mohon krimet e kryera në Kosovë, kemi propozuar projekt-rezolutë për verifikimin e tyre
Kamberi: Diskursi i Vuçiqit nuk dallon nga ai i Millosheviqit
Biserko: Zbulimi i varrezave të reja masive hap çështjen e përgjegjësisë së Serbisë për krimet në Kosovë
Asllani drejt Premier Ligës, kërkohet nga Hull City