Mitrovicë e Veriut, 10 shtator 2025
Në një mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, e cila u shpall vetëm disa orë para mbajtjes, asamblistët miratuan sot njëzëri katër propozime vendimesh për ndryshimin e destinimit të tokës nga bujqësore në ndërtimore. Propozimet, ndër të tjera, mundësojnë ndërtimin e një çerdheje për fëmijë, objekte banimi dhe ndërtesa në Lagjen e Boshnjakëve.
Të gjitha propozimet janë dorëzuar përmes kryetarit Erden Atiq, të cilat Drejtoria për Urbanizëm, Kadastër dhe Gjeodezi i ka përcjellë në Kuvend për miratim.
Pavarësisht faktit që disa nga propozimet nuk kishin vulë protokolli, numër reference apo dokumentacion të plotë shoqërues, Kuvendi i miratoi të gjitha propozimet njëzëri.
Tre kërkesa për Lagjen e Boshnjakëve
Madje tre kërkesa kanë të bëjnë me parcela në Lagjen e Boshnjakëve, përballë Prokurorisë Themelore, sqaroi më vonë për Kontakt Plus kryesuesi Nedžad Ugljanin. Në ato parcela është planifikuar ndërtimi i një objekti banimi dhe biznesi të kategorisë II, ndërtesa për banesa sociale, si dhe një çerdhe për fëmijë – megjithatë, në vetë propozimet nuk është specifikuar qartë se bëhet fjalë për parcela në këtë lagje. Propozimet mbështeten në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Miratohet ndryshimi i destinimit të tokës për ndërtimin e çerdhes
Një nga kërkesat, e dorëzuar më 5 shtator, ka të bëjë me njësinë kadastrale P-73808131-24, me sipërfaqe prej 750 m², me një objekt ekzistues – shtëpi dhe oborr – që do të shndërrohet në tokë ndërtimore për ndërtimin e një çerdheje për fëmijë.
Investitori – kompania e sigurimeve “Eurosig” AD, ka kërkuar ndryshimin e destinimit të tokës, në pronësi të Komunës së Mitrovicës së Veriut, për të marrë lejen ndërtimore për ndërtimin e një objekti për qëndrim ditor të fëmijëve, respektivisht një çerdhe.
Megjithëse, siç theksuan vetë asamblistët, mes pronarëve të nacionalitetit serb dhe shqiptar është në zhvillim një proces gjyqësor, Kuvendi e miratoi propozimin, edhe pse dokumenti nuk kishte vulë protokolli dhe as nënshkrim të kryetarit të komunës. Propozimi është regjistruar më 5 shtator.
Në një deklaratë të mëvonshme për Kontakt Plus, kryesuesi Ugljanin sqaroi se bëhet fjalë për një parcelë që ndodhet pas ndërtesës së “Sindikates”.
Bashkimi i katër parcelave me sipërfaqe totale 2.776 m²
Në mbledhjen e sotme, asamblistët miratuan edhe një kërkesë tjetër të “Eurosig” AD për ndryshimin e destinimit të tokës dhe përgatitjen e kushteve për ndërtimin e një objekti banimi dhe biznesi të kategorisë II.
“Eurosig” AD, tani në cilësinë e pronarit, ka paraqitur kërkesën për shqyrtim të kushteve ndërtimore, të miratuar më herët nga Drejtoria për Urbanizëm, Kadastër dhe Gjeodezi.
Para bashkimit të parcelave, kërkohet ndryshimi i destinimit të tokës nga bujqësore në ndërtimore. Është planifikuar bashkimi i katër parcelave me një sipërfaqe të përgjithshme prej 2.776 m², të cilat më pas do të regjistrohen si tokë ndërtimore, pas pagesës së taksës për ndryshimin e destinimit.
Pronari kërkon të drejtën për të marrë leje ndërtimi për ndërtimin e një objekti banimi dhe biznesi në parcelën e vet.
Dokumenti është dorëzuar më 20 gusht, por është paraqitur pa vulë protokolli dhe pa nënshkrim të kryetarit të komunës. Megjithatë, asamblistët e miratuan kërkesën njëzëri.
Komuna e Mitrovicës së Veriut dhe projekti “Banimi Social i Përshtatshëm”
Komuna e Mitrovicës së Veriut më 4 shtator dorëzoi kërkesën për ndryshimin e destinimit të tokës për njësitë kadastrale P-73808130-02786-15 (sipërfaqe 1.588 m²) dhe P-73808130-02787-16 (sipërfaqe 1.023 m²), të dyja në pronësi komunale, me qëllim përfshirjen në projektin “Banimi Social i Përshtatshëm”.
Ndryshimi i destinimit është propozuar pas hartimit të një Memorandumi Mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Komunës së Mitrovicës së Veriut.
Qëllimi është sigurimi i kushteve ndërtimore për ndërtimin e një objekti banimi të kategorisë II.
Sipas dokumentacionit, propozimi përfshin ndërtimin dhe lëshimin e lejes ndërtimore në përputhje me Memorandumin, për të mundësuar realizimin e ndërtesave të planifikuara brenda projektit të banimit social.
Ugljanin: Do të ndërtohen të paktën katër ndërtesa banimi dhe një çerdhe
Sipas kryesuesit të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nedžad Ugljanin, në Lagjen e Boshnjakëve është planifikuar ndërtimi i të paktën katër ndërtesave banimi, përveç çerdhes për fëmijë, ku do të strehohen familje në nevojë sociale.
Ugljanin sqaroi se disa nga apartamentet që do të ndërtohen, me sipërfaqe mbi 70 m², do t’u takojnë banorëve ekzistues, ndërtesa e të cilëve do të rrënohet si pjesë e projektit, dhe se tashmë ekziston një marrëveshje me banorët.
Gjithashtu, është planifikuar të rrënohen edhe disa lokale.
Sipas tij, ministria përkatëse ka bërë vlerësimin e tokës, por as ai vetë nuk kishte të gjitha informacionet se cilët objekte dhe lokale saktësisht do të jenë subjekt i kompensimit dhe rrënimit.
“Vlerësimi është bërë, do të bëhet kompensimi i objekteve, por ne nuk e dimë saktësisht cilët janë ato lokale”, deklaroi Ugljanin në një deklaratë të mëvonshme për Kontakt Plus.
Parcela në Donji Suvi Do
Në fund, asamblistët miratuan edhe propozimin që ka të bëjë me një parcelë në Donji Suvi Do. Një bashkëpronar privat me kombësi shqiptare kërkoi kushte ndërtimore për ndërtimin e një objekti për banim individual.
Në këtë mbledhje të jashtëzakonshme pothuajse nuk pati diskutime për pikat e rendit të ditës – propozimet u miratuan njëzëri menjëherë pas leximit.
Në mbledhje morën pjesë dhjetë asamblistë, ndërsa i vetmi përfaqësues nga komuniteti serb, Dušan Milunović, nuk ishte i pranishëm.
“Asamblistët nga e premtja nuk do të mund të diskutojnë për çështje të destinimit të tokës, pasi më 13 shtator fillon fushata parazgjedhore për zgjedhjet lokale të caktuara për 12 tetor”, tha kryesuesi Nedžad Ugljanin.
Mbledhja u mbajt me probleme teknike – mikrofonët nuk funksionuan, prandaj përkthyesi nuk mundi të kryente detyrën e tij, dhe gazetarët e vëzhguesit mbetën pa përkthim adekuat.

Investimi në Kamenicë përmirëson infrastrukturën rrugore
Vendoset gurthemeli i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Obiliq
U miratua unanimisht si i pavlefshëm vendimi për heqjen e tabelës “E dua Mitrovicën”
Mitrovica funksionalizon shërbimin për ndërhyrje të vogla kirurgjike në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare
Lista Serbe përmes muraleve provokon me lojë fjalësh
Ngjyroset grafiti “Kosovska Mitrovica” dhe mbishkrimet tjera në muralin në Mitrovicë të Veriut
Nga Praga, Orkestra `Amadeus` i sjell Kosovës medaljen e artë
Fetoshi: Reagimet ndaj vizitës së Begajt në Luginë janë përpjekje për të relativizuar projektin e “Botës Serbe”
Ish-krerëve të UÇK-së u vazhdohet paraburgimi, përkundër caktimit të datës së aktgjykimit
SHBA-të nisin sulme të reja ndërsa Irani mbyll Ngushticën e Hormuzit